Të bësh ëndrrën tënde realitet në ritmin bullgar dhe në tokën franceze. Kështu mund ta fillojmë në mënyrë metaforike historinë e muzikantes dhe pedagoges Stefka Miteva dhe trios bullgaro-franceze "Orenda", në të cilën i bashkohen edhe Sandrine Conry dhe Julia Orcet.
Fillimi i formacionit polifonik u vu në vitin 2018, kur reperi i famshëm francez Gims, atëherë Maître Gims, ftoi Stefka Mitevën të formonte një kor bullgar për ta shoqëruar në skenë në finalen e formatit televiziv "The Voice" - Francë. Mbi gjashtë milionë njerëz para ekranit të vogël dëgjuan për herë të parë këngën popullore bullgare "Bre, Petrunko" në një aranzhim modern, të interpretuar nga "Orenda".
"Ëndrra e tij, që kur ishte fëmijë, ishte të këndonte me zëra bullgarë. Gims më kërkoi të formoja një kor prej 12 personash dhe të propozoja një këngë dhe aranzhimin për të. Pas pjesëmarrjes sonë, vendosëm ta mbanim këtë grup të sapoformuar, i cili kaloi nëpër faza të ndryshme. Një vit më vonë, kënduam përsëri në koncertin e tij në Stade de France, me 24 veta atje. Gims e njihte muzikantin belg Stromae, i cili na kishte dëgjuar në stadium dhe më shkroi duke na ftuar të merrnim pjesë në albumin e tij të ri "Multitude", të cilin po e përgatiste në atë kohë. Unë kompozova hyrjen e këngës "Ferri", të cilën e kënduam të tre, dhe që atëherë vazhdojmë të ekzistojmë si një trio me një repertor – polifonibullgare, folklor dhe ortodoksi, dhe një projekt-performancë franceze që e quajtëm "Ujku" (la louve)" - tregon Stefka Miteva për Radio Bullgarinë.
Falë bashkëpunimeve muzikore dhe dëshirës së jashtëzakonshme të bashkatdhetares sonë për të krijuar dhe zhvilluar një kor bullgar në tokën franceze, trioja Orenda mori një ftesë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për të marrë pjesë dhe përfaqësuar atdheun tonë në Kongresin Botëror të Frankofonisë në Paris në tetor 2024. Në mars 2025, trioja vizitoi Bullgarinë për herë të parë me tre koncerte në Sofje dhe Plovdiv si pjesë e Javës së Frankofonisë.
"Repertori ynë përfshinte kryesisht programin tonë francez, duke pasur parasysh rastin", na tregoi Stefka Miteva dhe nuk e fshehu entuziazmin e saj për vizitën e trios në Studion e Parë të Radios Kombëtare Bullgaremë 15 tetor. Atëherë trioja Orenda mbajti koncertin e saj të parë të madh solo me këngë kryesisht bullgare. Përveç kësaj, Shtëpia e Vjetër, siç e quajmë Radion Kombëtare Bullgare, zë faqe të rëndësishme në historinë personale të këngëtares bullgare, sepse për dhjetë vjet, nga mosha gjashtë deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç, ajo ishte pjesë e Korit të Fëmijëve të Radios Kombëtare Bullgare.
"Këto janë vite të paharrueshme për mua", pranon ajo.
Për dy këngëtaret e tjera në trio – Julia Orcet dhe Sandrine Conry – polifonia dhe njohja e kulturave të ndryshme popullore janë lidhur me të gjithë rrugën e tyre.
“Gjithmonë kam kënduar, që kur isha shumë e vogël”, thotë Julia Orcet në studion e Radio Bullgarisë. “Kur prindërit e mi flasin për këtë, më thonë se edhe para se të filloja të flisja, këndoja vazhdimisht në makinë. Dhe për këtë arsye shumë shpejt, kur isha vetëm 8 vjeç, më regjistruan në mësime këndimi dhe në një kor me këngëtarë më të mëdhenj nga unë. Pasi mbarova arsimin, shkova në Paris për të studiuar në një shkollë të specializuar për këndim dhe muzikë, École de la Chanson de Paris. Gjatë gjithë kësaj kohe dëgjoja muzikë etno, të ashtuquajturën muzikë botërore, dhe isha shumë e interesuar për polifoninë. Në vitin 2011 pashë një njoftim, ku kërkonin këngëtarë për një trio, aplikova dhe ata më zgjodhën.”
Në fakt, trioja është "Samodivi"(“Zanat”) - një formacion që Stefka Miteva krijoi me një këngëtare tjetër. Në të njëjtën kohë, rreth vitit 2011, bullgarja u takua edhe me Sandrine Conry, por në një projekt tjetër të bazuar në muzikën popullore kroate:
"Për mua, muzika dhe kënga na lidhin me diçka shumë të thellë brenda nesh. Mendoj se ka një lidhje të drejtpërdrejtë me diçka shumë amërore dhe shumë familjare. Ashtu si Julia dhe Stefka, fillova të këndoja në një moshë shumë të vogël, në moshën pesëvjeçare në kopsht. Njerëzit me të cilët i studiova këngët përfaqësonin figurën e nënës në jetën time. Më vonë, zhvillova një interes për muzikën e vendeve të tjera."
Gradualisht, Sandrine filloi të interesohej gjithnjë e më shumë për folklorin evropian dhe ballkanik, filloi të mësonte, të kompozonte dhe të këndonte në formacione të ndryshme. Takimi me Stefka Mitevën i zbuloi asaj thellësinë dhe bukurinë e pamasë të këndimit popullor bullgar.
"Ajo që më emocionon vërtet janë harmonitë shumë të ngushta, harmonitë specifike vokale me intervale të ngushta, të cilat janë shumë të rralla dhe nuk gjenden në muzikën evropiane. Harmonia transmetohet nëpërmjet vibracioneve dhe në një farë mënyre e gjithë qenia ime, trupi im vibron, falë harmonive vokale bullgare kur këndoj. Më pëlqen shumë të jemi të tre ne së bashku në një skenë dhe të plotësojmë njëri-tjetrin në një harmoni muzikore.”
Sandrine Conry e krahason këndimin e folklorit bullgar me ndjesinë që sjell muzika gospel afrikano-amerikane. Këngët tona, sipas fjalëve të saj, përmbajnë emocione shumë të forta në të njëjtën kohë, si gëzim, trishtim dhe nostalgji, të cilat i ndjen si publiku, ashtu edhe vetë interpretuesi. Dhe Stefka Miteva pranon se gjëja më e vështirë në këndimin e folklorit bullgar është zotërimi i nxjerrjes së tingullit. Për Sandrine dhe Julie, tingulli "L" ishte gjithashtu një pengesë. "Por ato bëjnë një punë të shkëlqyer dhe janë unike në mbajtjen mend dhe këndimin e teksteve", thotë Stefka Miteva me krenari, e cila zgjedh këngët bullgare në repertorin e "Orenda".
Vizita dy herë në Bullgari këtë vit është një dhuratë e vërtetë për dy gratë franceze. Ato janë të impresionuara nga mikpritja bullgare dhe veçanërisht nga pritja e ngrohtë dhe qëndrimi pozitiv që marrin nga publiku bullgar. "Kjo është shumë e rëndësishme për ne", thotë Sandrine.
Pas Sofjes, tre këngëtaret u kthyen në Paris për të realizuar idenë e tyre të re për një program-performancë muzikore, në të cilën do të bashkojnë muzikën bullgare me këngë të panjohura dhe të harruara nga folklori francez, të përpunuara për këndim polifonik. Pas punës me Stromae, ato pranojnë se kanë pasur shumë angazhime të tjera të ngjashme me interpretues dhe DJ të famshëm në Francë. Gjithashtu presin që shumë shpejt publiku të mund të shohë disa filma, në të cilët përfshihen këngët dhe muzika e tyre. Ndër titujt janë "Sekreti" nga regjisori Romain Gavras, djali i Costa-Gavras dhe një prodhim filmor i Netflix.
Shihni më shumë në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: orendatrio.fr, Facebook/ Stefka Miteva, Vesella Krësteva
Ndër ngjarjet që Kori i Fëmijëve të Radios Kombëtare Bullgare, i dirigjuar nga Venecia Karamanova, po ia kushton 65-vjetorit të tij, është koncerti "FIESTA - gëzimi i të bërit muzikë". Më 23 tetor, në orën 19:30 në Sallën 3 të Pallatit Kombëtar..
Gjatë 14 viteve, që kur është në skenë, Mihaella Fileva u afirmua si një nga këngëtaret më të suksesshme të brezit të ri në Bullgari, duke fituar zemrat e një publiku të gjerë. Më 22 tetor në një koncert madhështor në Sofje ajo do të prezantojë këngët..
Një nga ngjarjet muzikore të padiskutueshme të këtij sezoni është koncerti i Barcelona Gipsy balKan Orchestra (BGKO) . Më 22 tetor në Plovdiv, formacioni sensacional etno do të performojë një spektakël të zjarrtë që e çon muzikën përtej dallimeve..
Një nga ngjarjet muzikore të padiskutueshme të këtij sezoni është koncerti i Barcelona Gipsy balKan Orchestra (BGKO) . Më 22 tetor në Plovdiv,..
Gjatë 14 viteve, që kur është në skenë, Mihaella Fileva u afirmua si një nga këngëtaret më të suksesshme të brezit të ri në Bullgari, duke fituar zemrat..
Ndër ngjarjet që Kori i Fëmijëve të Radios Kombëtare Bullgare, i dirigjuar nga Venecia Karamanova, po ia kushton 65-vjetorit të tij, është koncerti..