Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Nga Rodopet deri te Stara Planina – turizmi me kalë, pasuria e fshehur e Bullgarisë

Foto: Penguin Travel

Ecjet me kalë janë një mënyrë jo e zakonshme për të njohur Bullgarinë. Itineraret shpesh kalojnë në vende të paarritshme për turistin masiv dhe janë të mbushura me aventura dhe përvoja kulturore.Një javë me kalë në Bullgari kushton nga 1200 deri në 1500 euro – me akomodim në shtëpi mikpritëse të ngrohta dhe të rehatshme. Për ata që kërkojnë më shumë luks, ka edhe variante me hotele, spa dhe pishina minerale, por çmimi natyrisht rritet, mësojmë nga Dimitër Popov, kryetar i Shoqatës Bullgare për Turizëm të Qëndrueshëm.

Ky lloj udhëtimi po tërheq gjithnjë e më shumë klientë nga Evropa Perëndimore. Nuk është modeli i zakonshëm i pushimeve verore masive, por një segment i specializuar i turizmit, ku Bullgaria ka avantazhe të konsiderueshme konkurruese. “Kuajt kanë një rol të rëndësishëm në historinë dhe traditat tona, të trashëguara që nga bullgarët e lashtë, dhe kali është i lidhur ngushtë me jetën dhe zakonet bullgare”, vë në dukje Popov në një intervistë për Radio Bullgaria, duke shtuar:

“Së fundmi vërehet një rritje e madhe e bazave për kuaj – po hapen gjithnjë e më shumë. Natyrisht, disa prej tyre janë për hipizëm sportiv, por një pjesë e madhe – sipas të dhënave të shoqatës sonë, të paktën njëqind baza në të gjithë vendin – ofrojnë turizëm me kalë, qoftë njëditor, dyditor apo treditor… Dhe kjo është një avantazh i madh. Ky është një turizëm i shtrenjtë. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se itineraret me kalë shpesh kombinohen me objekte kulturor-historike, degustime verë apo spa. Turistët që zgjedhin këtë lloj përvoje i përkasin segmentit të mesëm dhe të lartë – njerëz me mundësi. Disa prej tyre madje mbajnë kuaj në shtëpi. Ata kërkojnë cilësi, jo masivitet, dhe lënë shuma të konsiderueshme këtu – ndryshe nga turizmi detar.”

Itineraret kryesore ndodhen në zonat malore, ku kalëruesit e aftë mund të hipin trok ose galop për distanca të gjata. Baza për kuaj ka madje edhe pranë Sofjes. “Një orë e gjysmë larg kryeqytetit, ti hysh në një natyrë të paprekur. Mund të hasësh edhe një arushë që endet lirisht! Ku mund ta gjesh një gjë të tillë në Evropë?” – pyet retorikisht Popov. Ai shton se kushte të shkëlqyera për ecje me kalë ka jo vetëm në malet pranë Sofjes, por edhe në malet Stara Planina, Rilla dhe Pirin.

Manastiri i Gllozhenes

Veçanërisht të kërkuara janë ecjet në rajonin e malit Stara Pllanina pranë qytetit Elena, me vizita në manastire si ai i Gllozhenes, si dhe itineraret në Rodopet. Dimitër Popov përshkruan avantazhet konkurruese të turizmit bullgar me kalë:

“Shumë shpesh, në mjediset që merren me turizmin me kuaj, Bullgaria përshkruhet si “Mongolia e Evropës”. Këtu nuk kemi gardhe. Unë kam hipur në Itali, në Spanjë… Kudo prona private është e rrethuar dhe mjaft fort. Ndërsa këtu thjesht kalon përmes kopshtesh frutore, kalon përmes hapësirave të lira, në trok e në galop, pa pengesa artificiale. Kjo është shumë e rëndësishme për itineraret me kuaj.”

Profili ekonomik i këtij turizmi karakterizohet nga vlera e lartë e shtuar – përveç vetë hipjes me kuaj, turistët shpenzojnë shuma të konsiderueshme për akomodim në shtëpi mikpritëse, për degustime vere, për procedura spa etj. Shumica prej tyre janë evropianë të pasur nga Perëndimi, që vijnë në kërkim të aventurave dhe të një kulture krejtësisht të ndryshme.

Tregjet kryesore për turizmin me kuaj në Bullgari janë Britania e Madhe, Gjermania, Austria dhe Franca. Interes vihet re edhe nga Polonia dhe Çekia. Por për këtë nevojitet reklamim dhe një politikë shtetërore më e synuar, në mënyrë që vendi ynë të bëhet i dukshëm si destinacion për turizmin me kuaj në tregjet botërore. Për shembull, ne mungojmë krejtësisht në panairet e mëdha të kuajve në Spanjë ose Itali, ku bazat me kuaj prezantojnë paketat e tyre para publikut të gjerë. Fatkeqësisht, turizmi me kuaj tek ne mungon si prioritet në strategjinë turistike të shtetit, si dhe në reklamën kombëtare” – tha në përfundim Dimitër Popov.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Penguin Travel




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në prag të sezonit të dëborës – a do ta tejkalojë turizmi ynë nivelin Dimër 2025

Sektori turistik në Bullgari shënon rritje gjatë viteve të fundit, si në sezonin veror, ashtu edhe në atë dimëror. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse deri në fillim të tetorit, qytetarët bullgarë që kanë vizituar destinacione turistike në vend kanë..

botuar më 25-10-20 8.00.MD

Hekurudha e Ngushtë e Rodopeve hyn në një renditje prestigjioze të turizmit të vjeshtës

Hekurudha me binarë të ngushtë e Rodopeve është emëruar si një nga udhëtimet më piktoreske me tren të vjeshtës në botë, sipas një sondazhi të ri ndërkombëtar të kryer nga platforma britanike e udhëtimit JR Pass. Linja e famshme hekurudhore që..

botuar më 25-10-09 10.23.PD
Disa nga manastiret shkëmbore në zonë janë të arritshme për turistët

Lugina e murgjve – nëpër gjurmët e kishave shkëmbore në rajonin Pollomie

Në verilindje të Bullgarisë, lumi Rusenski Llom dhe degët e tij – Çerni, Beli dhe Mallki Llom – kanë skalitur një peizazh shkëmbor të ashpër me shpella të fshehura dhe lugina të qeta, ku jehon vetëm kënga e zogjve. Në këto kanione, gjatë shekujve, janë..

botuar më 25-10-07 7.50.PD