Nën emrin BGBizHub, sipërmarrësit bullgarë në Berlin kanë bashkuar forcat për të promovuar dhe zhvilluar bizneset e tyre vendase në Gjermani. "Si çdo biznes tjetër - jo vetëm në Berlin dhe jo vetëm biznesi bullgar, aktualisht po përballemi me disa probleme - gjetja e krahut të punës, lidhja e marrëveshjeve të mira, zhvillimi i biznesit dhe mbështetja e ndërsjellë", tha për Radio Bullgarinë një nga themelueset e klubit - Nevena Grundmann. Ajo shtoi se qëllimi i shoqatës, e themeluar disa ditë më parë, është të lehtësojë shkëmbimin e informacionit, bashkëpunimin dhe dialogun midis anëtarëve të saj dhe shpjegoi:
"Për shembull, ne shohim në komunitetet serbe dhe italiane se si të gjithë janë të bashkuar, dhe ne bullgarët, kur jemi jashtë vendit, nuk e ndihmojmë vërtet njëri-tjetrin. Dhe aty më lindi ideja të bashkohemi në mënyrë që të mbështesim dhe zhvillojmë njëri-tjetrin, megjithëse në 2 vitet e fundit duket se ka njëfarë progresi. Kam qenë në Berlin që nga viti 2014 dhe në fillim as nuk takoheshim, ndërsa tani ndiej se ka njëfarë uniteti, por mendoj se kjo i detyrohet ambasadorit tonë - z. Porozhanov. Kemi një ambasador të jashtëzakonshëm!"

Nevena Grundmann thekson se Ambasada Bullgare nuk ka funksion të drejtpërdrejtë në klubin e sapokrijuar, por e mbështet atë nëpërmjet Shërbimit të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike, të kryesuar nga Rosica Ivanova, e cila është një nga tre organizatoret, së bashku me Nevena Grundmann dhe Ivan Tihov. Ideja për vetë klubin lindi një vit e gjysmë më parë, por puna më serioze në projekt filloi vetëm në prill të vitit 2025, ndan znj. Grundmann dhe vazhdon:

"Të gjithë kanë pritshmëri të larta dhe, sigurisht, për ne, si organizatorë, kjo është një përgjegjësi e madhe. Por ne gjithashtu presim që të gjithë pjesëmarrësit të përfshihen me sugjerime se si të zhvillohemi dhe si të ecim përpara. Takimi i radhës është më 15 dhjetor dhe deri atëherë do t'i kontaktojmë të gjithë për ide të ndryshme. Gjithashtu po mendojmë të ftojmë lektorë të jashtëm për të na shpjeguar disa nga temat. Por ne jemi ende në fillim dhe shpresojmë që të gjithë anëtarët do të ndihmojnë në zhvillimin e klubit. Që tani e tutje, ne të gjithë jemi organizatorë!"
Znj. Grundmann shpjegoi se klubi i sapothemeluar nuk është një sistem i mbyllur, kështu që në të ardhmen çdo bullgar i sapoardhur me biznesin e tij do të ketë të drejtë të anëtarësohet në shoqatë. Aktualisht, janë anëtarësuar kompani bullgare në Berlin nga sektori i shërbimeve, një kompani farmaceutike dhe biznesi i restoranteve. Organizatorët po bëjnë gjithçka që është e nevojshme që anëtarët e BGBizHub të takohen të paktën një herë në 3 muaj.
A presin që BGBizHub të përfshijë në të ardhmen edhe sipërmarrës bullgarë që jetojnë larg Berlinit? – Nevena Grundmann u përgjigj:

"Për momentin, jemi kufizuar në Berlin dhe zonën përreth - 200 km larg qytetit, por pse jo?! Nëse rritet në një masë të tillë sa të ketë sipërmarrës nga provinca të tjera në Gjermani që gjithashtu duan të përfshihen - sigurisht!"
Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: bulgar.berlin, Facebook / Nevena Grundmann, Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Berlin
Me gjallërinë, disponimin dhe ngjyrat rinore të tyre, nxënësit e shkollës bullgare të së dielës “Dr. Petër Beron” sollën frymë rinore gjatë vizitës së tyre në Radion Kombëtare Bullgare. Ata kishin ardhur nga Larnaka. Grupi nga Qiproja, i përbërë nga 16..
Sofja ka fituar një parajsë të re kulturore. Phenomena është muzeu i parë në Bullgari i dedikuar lidhjes midis shkencës dhe artit. Hapësira paraqet zbulime shkencore, teknologji, inxhinieri, art dhe matematikë në frymën e arsimit STEAM (Science,..
"Ne nuk mund të ikim nga teknologjitë bashkëkohore, por duhet të mendojmë si mund të përdorim inteligjencën artificiale në mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e arsimit pa humbur kontaktin njerëzor" – tha në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë..
Nxënësit nga Gjenerata Z, të cilët aktualisht janë në shkollë (të lindur midis viteve 1995 dhe 2012), masivisht përdorin në praktikën e tyre mësimore..
Urë midis botëve përfaqëson në vetvete projekti “Karizma e bullgarit”. Me të Dimitrinka Jordanova Komanduçi – psikologe, psikoterapeute, trajnere vokale..
Timishoara, një qytet i madh multietnik në Rumaninë Perëndimore, është qendra e rajonit historik të Banatit dhe shtëpia e bullgarëve të Banatit..