Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

155 vjet nga lindja e atit të operës bullgare Emanuill Manollov

Më shtatë janar të këtij viti mbushen 155 vjet nga lindja e themeluesit të kompozimit profesional bullgar Emanuill Manollov. Pa dyshim vepra e tij më e rëndësishme është opera “Fukaresha”, e cila për fat të keq nuk është e përfunduar. Ajo është krijuar sipas një vjershe të Ivan Vazovit dhe gërsheton traditat e romancës së qytetit dhe të operës klasike italiane.





Në një intervistë, që ruhet në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare, regjisori kinematografik Georgi Djullgerov flet për këtë vepër kaq të rëndësishme për muzikën artistike bullgare:

“Emanuill Manollov e ka kompozuar veprën “Fukaresha” në një kohë, kur nuk ka pasur as mjete financiare, as tradita në gjini. Në mbarë botën opera ka qenë në kulmin e vet, paraqitur nga disa emra të mëdhenj si Verdi, Vagner, Maskani dhe shumë të tjerë. Duke e studiuar krijimtarinë e tij, unë kuptova se megjithë disa kritika për naivitetin e veprës, “Fukaresha” është frymëzuar nga përjetimet personale të kompozitorit. Prototipi i protagonistes është nëna e Manollovit. Në operë rrëfehet se si një grua e varfër përpiqet të sigurojë para për fëmijët e saj. Në biografinë e kompozitorit ka një episod të tillë – nëna e tij, e cila nuk ka pasur mjete, që të mund të vazhdojnë arsimin e vet bijtë e saj, lë peng në një manastir afër qytetit të lindjes Gabrovo të gjitha orenditë shtëpiake. Me mjetet e marra, ajo arrin të mbërrijë bashkë me fëmijët në Kiev dhe shkon te veprimtari i njohur kishtar Josif Sokollski. Gruaja i drejton atij kërkesë për të siguruar bursë për bijtë e saj. Pasi kupton se kërkesa e saj nuk mund të plotësohet, ajo bën një hap shumë të rrezikshëm dhe në shikim të parë të papranueshëm – ajo i braktis fëmijët e veta. Disa bullgarë mirëbërës i çojnë djemtë e braktisur në Odes. Atje rrugët e tyre ndahen – Emanuill Manollov ka pasur talentin e këngëtarit dhe u gjend në Kapelën e Korit në Moskë. Në saje të talentit të tij, ai u gjend të qendër të vëmendjes dhe arriti ta vazhdojë arsimin e vet në konservator. Djali i talentuar nuk arriti ta mbarojë arsimin për shkak të shpërthimit të Luftës Serbo-Bullgare. Në vitin 1885 ai u kthye te ne.”

Pasi u kthye në atdhe, Emanuill Manollov u anëtarësua në orkestrën frymore të Regjimentit të Parë të Sofjes. Një pjesë e rëndësishme në biografinë e kompozitorit është lidhur me qytetin e Kazanllëkut. Atje ai ka kaluar disa vitet e fundit të jetës së tij, kur ka krijuar më shumë vepra. Në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare ruhet gjithashtu tregimi i kompozitorit dhe dirigjentit Josko Josifov për meritën e madhe të Manollovit.

“Në një periudhë, kur populli ynë ka pasur ethje të madhe për kulturë dhe muzikë, ai ndodhej para dilemës në cilën rrugë të ecë, sepse në atë kohë ndikimet e huaja në art ishin shumë të fuqishme. Si një patriot i vërtetë, Manollov gjeti rrugën më të drejtë, duke e përdorur folklorin për të vënë themelet e traditës sonë muzikore. Kompozitori u ngarkua me kryqin më të rëndë të muzikantit pikërisht në këtë periudhë, kur duhej të caktohej drejtimi i muzikës artistike bullgare. Nuk është e rastit se ai ka gëzuar një respekt të madh në Kazanllëk – ai ka një meritë të madhe për formimin e korit të përzier dhe orkestrës pranë vatrës kulturore “Iskra”. Për shkak të kontributit të tij, ai mund të quhet pa u tepruar kompozitori i parë profesional bullgar dhe ati i operës te ne.

Ai ka jetuar dy herë në Kazanllëk – së pari ka punuar si mësues rreth vitit 1886, kurse pak më vonë u kthye përsëri dhe mbeti atje deri në vdekjen e tij në vitin 1902. Gjatë tri viteve të fundit të jetës së tij Emanuill Manollov kompozoi veprën “Fukarasha”. Në një epokë konservatore, kur rolet e femrave në teatër i interpretonin meshkujt, Manollov ishte një modernizues i vërtetë.”

Si drejtues i orkestrës së regjimentit të XXIII të Shipkës, Emanuill Manollov e përdori orkestrën frymore për të interpretuar muzikë të autorëve të njohur evropianë, si dhe vepra të veta. Gjinia kryesore në krijimtarinë e tij është kënga korale. Sipas folkloristes së njohur bullgare Elena Stoin, ai ka një kontribut të madh për zbulimin dhe incizimin e këngëve popullore në vitet kur ende nuk kishte audio-teknikë.




Ai është autor marshesh, këngësh shkollore dhe për fëmijë, ndër të cilat është “Je i bukur o atdhe”, që interpretohet nga disa breza bullgarësh të vegjël.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Më shumë nga rubrika

Drejtori i Përgjithshëm i BNR Milen Mitev ia dorëzoi çmimin Sonja Jonçevës

Sonja Jonçeva mori çmimin e BNR "Muzikanti i Vitit"

Këngëtarja e operës Sonja Jonçeva mori çmimin "Muzikanti i Vitit" të Radios Kombëtare Bullgare (BNR). Ajo u zgjodh nga dëgjuesit në aketimin kombëtar të organizuar nga programi për muzikë klasike “Allegro vivace” të programit “Horizont”. Drejtori i..

botuar më 24-12-02 6.34.MD

"Së bashku" në një duet të papritur

Dy interpretues nga gjenerata të ndryshme bashkohen në një duet të papritur - Orlin Goranov i jep dorën këngëtares së re Paola në këngën e tyre të përbashkët "Së bashku". Edhe pse ka ndryshim në eksperiencën e grumbulluar, zërat e të dyve..

botuar më 24-12-02 8.10.PD

"Dera e kyçur" – vepra më e re e këngëtarit Todor Gaxhallov

Këngëtari i ri Todor Gaxhallov prezantoi këngën e tij të re prej autori "Dera e kyçur". Autori u frymëzua nga lufta e secilit person me pengesat dhe sfidat e veta. "Kjo është një histori për rrugën e ngjitjes - e vështirë, por plot shpresë...

botuar më 24-11-29 8.35.PD