Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Evgenij Dajnov: Po vjen koha për figura të dalluara politike

Skepticizëm për formimin e qeverisë edhe me mandatin e “Po e vazhdojmë ndryshimin”, lexojmë në analizat e politologëve

Foto: BGNES

Ditën e enjte, më 22 dhjetor skadon afati në të cilin forcat politike parlamentare duhet të dërgojnë prioritetet e tyre, rreth të cilave mund të arrihet një marrëveshje parimore për formimin e qeverisë, nëse vendosin të përmbushin ftesën e bërë nga Nikollaj Denkov, kandidati për kryeministër, i propozuar nga partia e dytë më e madhe në Kuvendin Popullor – “Po e vazhdojmë ndryshimin” (PP). Pas Vitit të Ri, formacioni do të marrë mandatin e dytë për të formuar qeverinë në kuadër të Legjislaturës së 48-të të Kuvendit Popullor, por paraprakisht e bëri të ditur emrin e kandidatit për kryeministër. Ishte ai që shpjegoi se në bazë të propozimeve të palëve të tjera do të krijohet një plan menaxhimi real, i cili do të diskutohet në mbledhjen e parë të 23 dhjetorit. Më 3 janar do të zhvillohen bisedime të reja me palët përgjegjëse, si rezultat i të cilave do të hartohet një deklaratë programore përfundimtare, e cila do të paraqitet për votim në sallën plenare. Në rast se nuk merr mbështetje të mjaftueshme të qëndrueshme, PP-ja do ta kthejë mandatin të paplotësuar, ishte kategorik Denkov.

Dëshirën e forcës së dytë politike për transparencë në bisedimet për formimin e një kabineti pune e ndajnë edhe disa vëzhgues të proceseve. Zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri me horizont të shkurtër dhe me qëllime të qarta që paraprakisht shpjegohen publikisht – komentoi gazetarja Emilija Millçeva për BNR.

“Pyetja është se çfarë do të bihet dakord të bëhet nga ky kabinet. Të gjitha partitë të deklarojnë synimet e tyre - pranimi në Eurozonë dhe Shengen, miratimi i legjislacionit që lidhet me Planin e Rimëkëmbjes. Dhe kur flasim për këtë legjislacion, në mënyrë të pashmangshme vijmë te teknologjia me të cilën do të kërkohet llogaridhënia demokratike e Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo është ndoshta dhe do të jetë vija ndarëse mes forcave politike që përpiqen të formojnë një qeveri si me mandatin e parë ashtu edhe me atë të dytë.”

Politologu Evgenij Dajnov beson se projekt-kabineti Denkov mund të shërbejë si një hap i mirë politik për “Po e vazhdojmë ndryshimin”, pavarësisht nëse do të marrë mbështetjen e nevojshme apo jo.

Nikollaj Denkov

“Në këtë qeveri që ende nuk na është ofruar si përbërje, dëshiroj të shoh figura të dalluara politike me reputacion të mirë, si ata që ishin në qeverinë e fundit të rregullt, sepse nga situata të tilla ku ka një balancë mes e vjetra dhe e reja, e mira dhe e keqja, po vjen koha e liderëve të dalluar politikë. Pra, nëse ata mund të gjenden për të dhënë një program të vendosur të qeverisjes, nuk do të ketë shumë rëndësi nëse ata formojnë qeverinë apo jo. Arsyeja është se ata tashmë do të kenë dhënë kërkesën që duan ta udhëheqin vendin në një drejtim të caktuar”, parashikoi Dajnov për Radio Bullgarinë.

Prania e Nikollaj Denkovit në bisedimet për një kabinet të mundshëm me mandatin e dytë është një shenjë e mirë, pasi ai do të ketë mundësinë të qetësojë tensionin mes palëve individuale, në mënyrë që ato të mund të zhvillojnë një dialog normal - theksoi edhe gazetarja Mira Baxheva. Megjithatë, ajo është ndër ata që janë skeptikë për suksesin e mundshëm të mandatit të dytë apo të tretë.

Shansi i vogël për të mbledhur numrin e duhur të votave në sallën plenare e bën edhe politologen Lidija Daskallova të pretendojë se nuk do të formohet një kabinet me mandatin e dytë:

“Edhe para zgjedhjeve të 2 tetorit të këtij viti isha pesimiste se si do të zhvillohej skenari në këtë Kuvend Popullor - kujton ajo në një intervistë për Radio Bullgarinë. - Sipas meje, një lëvizje në terrenin politik do të ndodhë ose pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ose pas votimit në zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm. Zgjedhjet lokale janë veçanërisht të rëndësishme për partitë, pasi rezultatet e tyre mund të ndikojnë edhe në disa zgjedhje kombëtare. Prandaj në rendin e ditës ishte edhe Kodi Zgjedhor, pasi pas zgjedhjeve vendore mund të ndodhë një rirregullim, shpërndarja e mandateve në parlament mund të jetë krejtësisht e ndryshme dhe përcaktuese nëse mund të kemi një kabinet të qëndrueshëm, funksional apo jo. Pra, në rastin më të mirë mund të kemi një kabinet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe në rastin më të keq do të duhet të presim edhe pak.”

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: BGNES



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Situata pas votimit: pritshmëria për një qeveri, pavarësisht fragmentimit edhe më të madh të parlamentit

Një tjetër zgjedhje e parakohshme është tashmë pas nesh, por përtej pjesëmarrjes paksa të rritur të votuesve, krahasuar me votat e qershorit të këtij viti, është ende e vështirë të parashikohen konfigurimet politike që do t'i japin një shans formimit..

botuar më 24-10-28 3.39.MD
Radostin Vasilev

Cila është partia MEÇ?

Partia MEÇ, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare, do të jetë lojtari i ri në parlament. Shkurtesa MEÇ vjen nga fjalët bullgare moral, edinstvo, çest (morali, uniteti, nderi). Partia u themelua në tetor 2023 nga avokati,..

botuar më 24-10-27 11.21.MD

Bojko Borisov: Të gjithë janë partnerë potencialë të GERB-it, pa “Vëzrazhdane”

“Fitorja e GERB-SDS është e sigurt. Dhe ne kemi marrë një angazhim për të formuar një qeveri”. Kështu u shpreh në një konferencë kreu i GERB-it, Bojko Borisov. Sipas tij, pas rritjes së aktivitetit të votuesve mund të flitet për përfaqësim në..

botuar më 24-10-27 11.01.MD