2022-ta ishte një vit i vështirë për Ballkanin Perëndimor. Çështja kryesore që duhej zgjidhur ishte lidhur me marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vetos që vendi ynë vendosi sa i përket perspektivës evropiane të fqinjit tonë jugperëndimor, duke penguar kështu rrugën evropiane të një vendi tjetër ballkanik - Shqipërisë . Si u zhvillua situata në vitin e kaluar dhe cilat ishin pikat e forta dhe të dobëta të politikës bullgare në rajon, këtë e komentoi gazetari Nikollaj Krëstev, një analist shumëvjeçar i proceseve në Ballkan dhe ish-korrespondent i BNR-së në Beograd dhe Moskë.
“Kjo ishte një çështje kyçe që kaloi nëpër shumë pengesa, shumë përpjekje lidhur me dëshirën si të komunitetit ndërkombëtar, pjesëmarrësve nga rajoni, ashtu edhe të Bullgarisë dhe partisë në pushtet në atë kohë për të gjetur një zgjidhje për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Si rezultat, u prit propozimi i Presidencës Franceze të BE-së, i cili i dha shpresa të Bullgarisë se vendi ynë nuk është harruar nga partnerët e tij perëndimorë, por në kurriz të kësaj u ngrit një tension i madh në fqinjin tonë jugperëndimor - ju kujtojmë protestat në Shkup në këto momente. Gjithçka që ndodhi që nga viti 2020 në lidhje me Maqedoninë e Veriut përfundoi diku në mes të vitit 2022 me një propozim të mirë të Presidencës Franceze, për mendimin tim, dhe një bazë të mirë për gjetjen e një zgjidhjeje për problemet e akumuluara mes Sofjes dhe Shkupit.”
A është i zbatueshëm ky propozim për Shkupin? A arriti Bullgaria t'i shpjegojë Evropës se ku i ka rrënjët problemi me Maqedoninë e Veriut dhe se pozicioni i saj nuk është thjeshtë një inat?
“Është mirë që e përdorni fjalën “inat”, e keqja është se partnerët tanë perëndimorë ndoshta vetëm këtë e panë dhe e kuptuan. Bullgaria duhej treguar pak më shumë durim strategjik. Në fund të fundit, Maqedonia e Veriut po del nga një vend që ka qenë gjithmonë shumë antibullgar, indoktrinimi jugosllav në RSM është një fakt dhe askush nuk e mohon, por kishte një shans gjatë udhëheqjes së qeverisë së Zoran Zaevit, të Bashkimit Socialdemokrat në RSM, gjërat të ndryshonin. Në fakt, Bullgaria, me kundërshtimin, madje me kokëfortësinë e saj, i hapi rrugën hyrjes së Maqedonisë së Veriut në formatin rajonal të Open Balkan /Shqipëri, Serbi dhe Maqedonia e Veriut/ dhe krijoi një mundësi në RSM për të folur mirë për Serbinë dhe keq për Bullgarinë, fatkeqësisht.”
A ka realizëm në këmbënguljen bullgare për ndryshime në kushtetutën e RSM-së dhe përfshirjen e bullgarëve atje si komb shtetndërtues?
"Unë nuk po shoh shumë kuptim në këtë akt dhe dëshirën e Bullgarisë për ta bërë këtë me çdo kusht,duke pasur parasysh forcimin e postulatit të maqedonizmit, se maqedonasit janë një grup etnik i veçantë dhe një komb i veçantë. Këtu, me këtë dëshirë të veçantë të saj, Bullgaria po bën gjithçka që është e mundur për të çimentuar maqedonizmin si të tillë dhe për ta bërë atë një faktor kryesor në marrëdhëniet midis Sofjes dhe Shkupit. Në Shkup duhet të jenë të lumtur në këtë moment që po i ndihmojmë duke u thënë se kanë gjithçka që duan. Prandaj po them se ky është një gabim i rëndë strategjik dhe duhej kërkuar një qasje tjetër për këtë çështje dhe jo me çdo kusht të insistohet."
Lufta në Ukrainë katalizoi shumë seriozisht proceset në Ballkan, ishim dëshmitarë të rritjes së tensionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Herën e radhës në vitin 2022 u bëmë dëshmitarë tre herë të një situate në të cilën u ngritën barrikada për shkak të targave”, kujton Nikollaj Krëstev në analizën e tij për Radio Bullgarinë.
“Është e habitshme që Bullgaria nuk ka të dërguarin e saj special për Ballkanin Perëndimor – vendi ynë, së bashku me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Francën, mund të kishin marrë pjesë në këtë proces të uljes së tensionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të forcimit të stabilitetit. Sot Bullgaria, për fat të keq, vetëm po vëzhgon se çfarë po ndodh në rajonin tonë, në vend që të marrë pjesë në vendimmarrje.”
Sipas Nikollaj Krëstevit, Bullgaria humbi trashëgiminë e Presidencës së saj të suksesshme të Këshillit të BE-së në fillim të vitit 2018, kur mori rolin e motorit të proceseve integruese evropiane në Ballkanin Perëndimor.
A janë negociatat, që një delegacion parlamentar bullgar zhvilloi në Turqi, një përpjekje për t'u rikthyer në pozicionin drejtues, që vendi ynë të jetë ndërmjetës në bisedimet mes BE-së dhe Turqisë për çështjen e emigrantëve?
“Unë po mendoj se diplomacia evropiane mund të flasë vetë me partnerët e saj turq. Po, Bullgaria është në një lokacion strategjik në Evropën Juglindore - kufiri me Turqinë, kufiri midis Lindjes së Mesme dhe Evropës Juglindore. Bullgaria mund dhe duhet të sigurojë një partneritet të mirë, një mundësi të mirë për të zhvilluar bisedime, sepse është më mirë që kjo të ndodhë në Ballkan sesa në Bruksel - të paktën njëri nga partnerët do të ndihet si në shtëpinë e tij. Është mirë që Bullgaria është aktive në këtë moment. Nga takimi i kryetarit të Kuvendit Popullor, Vezhdi Rashidov, me partnerët turq mësuam se presidenti bullgar do të jetë në Bruksel më 8 dhe 9 janar, ku do t'i njohë partnerët evropianë me këtë iniciativë.”
Sa ndikon paqëndrueshmëria e brendshme politike në imazhin e Bullgarisë në Ballkan?
“Ndikon, për fat të keq, të gjithë fqinjët tanë kanë dy vjet që e shikojnë atë që po ndodh në Bullgari. Politikanët duhet të kenë një ndjeshmëri për këtë temë dhe duhej gjetur një burim besimi mes tyre, qoftë edhe për një periudhë më të shkurtër – qoftë deri në zgjedhjet lokale në 2023 apo deri në zgjedhjet evropiane të 2024.
Unë sinqerisht shpresoj që viti 2023 të jetë një vit i mirë për të gjithë në Ballkan dhe në Bullgari, por jam pak më pesimist për rajonin. Situata në Kosovë do të kërkojë revanshin e saj, politikanët në Serbi do të duan të arrijnë deri në fund - kjo nuk do t'i pëlqejë askujt. Për momentin në Mal të Zi ka paqëndrueshmëri politike, një rreth partish pro-ruse po përgatitet të marrë pushtetin nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme parlamentare. Situata politike në Ballkan është shumë e paparashikueshme dhe për këtë arsye Bullgaria, e cila është një partner i rëndësishëm në BE, duhej të ishte të paktën një ishull stabiliteti në këtë moment dhe, së bashku me Rumaninë dhe Greqinë, të ishte një faktor që sjell parashikueshmëri në Ballkanin Perëndimor”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Facebook / Nikolay Krastev, EPA/BGNES
Deputetët bullgarë dëshmuan në praktikë thënien se nëse përsëritet e njëjta gjë, nuk mund të pritet një rezultat tjetër. Sot ata u mblodhën në sallën plenare për provën e gjashtë për të zgjedhur kryetar i Kuvendit Popullor, e cila sërish rezultoi e..
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës. "Jam i lumtur të njoftoj emërimin e..
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..