Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus"

Sanksionet evropiane kundër Rusisë: a mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës në Ukrainë

Foto: Rojters

Bashkimi Evropian miratoi një paketë prej dhjetë sanksionesh kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë. Kjo ndodhi në përvjetorin e parë të pushtimit - 24 shkurt. Pak para kësaj, në listën e zezë të parajsave fiskale u shtua edhe Moska.

Masat e fundit synojnë sërish ekonominë ruse dhe sektorin bankar, si dhe kompanitë iraniane të cilat e mbështesin Moskën. Janë vendosur kufizime në eksportin e teknologjisë dhe mallrave potencialisht me përdorim të dyfishtë, si dhe vendosen sanksione ndaj personave dhe subjekteve që përhapin propagandë ose furnizojnë dronët e përdorur nga Rusia në luftë. Gjithashtu janë planifikuar masa kundër dezinformatave ruse. Fillimisht u diskutua edhe për sanksionet ndaj energjisë bërthamore ruse, por disa vende, përfshirë Bullgarinë, kërcënuan me veton dhe kjo ide u hodh poshtë. Megjithatë, tregtia mes BE-së dhe Rusisë pritet të reduktohet me më shumë se 10 miliardë euro.

Duke folur për sanksionet e reja, të dhjeta kundër Rusisë, dhe duke parë prapa, kjo bën një paketë të miratuar prej sanksionesh pothuajse çdo muaj që nga fillimi i konfliktit një vit më parë. Padyshim, ky është një nga mekanizmat më të rëndësishme dhe themelore të përgjigjes perëndimore ndaj pushtimit rus.

Një sondazh i Eurobarometrit javën e kaluar tregoi se 74% e evropianëve mbështesin vendosjen e sanksioneve.

A ndryshojnë të dhënat për Bullgarinë nga mesatarja?

Po, vendi ynë është në fakt në vendin e fundit midis vendeve në bllok për sa i përket miratimit - pak më pak se gjysma e të pyeturve - 47 për qind e bullgarëve i mbështesin sanksionet kundër Rusisë. Në përgjithësi, përgjigja e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës kënaq shumicën e qytetarëve evropianë - 56 për qind. Dhe 48 për qind e bullgarëve janë të kënaqur me përgjigjen e Brukselit.


Mendimet e ekspertëve për masat sanksionuese janë të ndryshme. Nga Komisioni Evropian janë kategorikë se ato japin rezultate Presidentja e tij, Ursula von der Leyen vuri në dukje:

Rusia po shkon prapa drejt sistemit ekonomik të autarkisë, larg nga pjesa tjetër e botës. Sanksionet tona minojnë ashpër bazën e saj ekonomike dhe zvogëlojnë perspektivat për modernizimin e saj. Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj Rusisë dhe atyre që e mbështesin atë në fushën e betejës”.

Nënkryetari i Komisionit Evropian për Ekonomi, Valdis Dombrovskis gjithashtu theksoi:

Sanksionet funksionojnë. Që vitin e kaluar, ekonomia ruse hyri në recesion, pavarësisht çmimeve të larta rekord të energjisë, dhe shumica e parashikimeve tregojnë se ajo do të mbetet në recesion edhe këtë vit - kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e sanksioneve. Efekti i tyre rritet gradualisht. Pozicioni fiskal i Rusisë po përkeqësohet me shpejtësi, ka edhe probleme në industrinë ruse. Me çdo muaj që kalon, efekti i sanksioneve do të ndihet gjithnjë e më shumë.

Ka kritika për mbikëqyrjen në zbatimin e sanksioneve. Sipas analistëve, në disa shtete anëtare po përdoren mundësi të ndryshme legjislative për të shmangur zbatimin e plotë të masave. Komisioneri Ekonomik Evropian Paolo Gentiloni theksoi:

"Problemi nuk është vetëm miratimi i paketave shtesë të sanksioneve, por zbatimi më i fortë, për të shmangur rreziqet e anashkalimit të tyre."

Pas një takimi të Këshillit të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare në fillim të këtij muaji, nënpresidenti i Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis dhe Elisabeth Svantesson - ministrja e financave eSuedisë, e cila e kryeson BE-në, siguruan se po punohet për përballimin e këtij problemi:

Efektshmëria e sanksioneve varet nga sa mirë zbatohen. Ne po e ndjekim nga afër këtë çështje dhe jemi të përgatitur të veprojmë kundër atyre që i anashkalojnë qëllimisht sanksionet, sepse është e rëndësishme që të kemi sukses me to. Jemi duke diskutuar se si të përmirësojmë llogaridhënien dhe koordinimin në zbatimin e tyre. Po shohim se Rusia po përpiqet të gjejë alternativa për eksportet e saj - në vende si Kina dhe India, dhe në një farë mase kjo po ndodh, por ajo duhet të shesë naftën e saj dhe produktet e tjera me një zbritje të konsiderueshme."

“Mendoj se duhet të jemi të sinqertë. Sigurisht që sanksionet kanë efekt, por nga ana tjetër nuk e dimë se me çfarë saktësie, sepse kjo është shumë e vështirë të matet. Parashikimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregoi një rënie modeste të Produktit të Brendshëm Bruto të Rusisë vitin e kaluar dhe një rritje të lehtë këtë vit. Nuk e dimë efektin e saktë të sanksioneve sepse po flasim për një ekonomi lufte”.

Kjo është një nga kritikat ndaj masave kufizuese - nëse ato në fakt kanë efektin e dëshiruar, domethënë - për të dobësuar aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. Paketa e fundit e sanksioneve u kritikua nga kryeministri polak Mateusz Morawiecki:

Sa i përket paketës së dhjetë të sanksioneve – ne nuk jemi të kënaqur me të, sepse është shumë e butë, shumë e dobët. Sugjeruam që të përfshihen më shumë njerëz. Kemi ofruar edhe përfshirjen e produkteve shtesë ruse”.

Varshava donte një shtrëngim edhe më kategorik të masave.

Interesant, por sërish i diskutueshëm, është momenti me përfshirjen e Rusisë në listën e zezë të parajsave fiskale të Bashkimit Evropian. Sipas disave, masa është tepër e vonuar, dhe sipas kritikëve të tjerë, kjo listë është shumë e kufizuar në veprim. Ja se çfarë është mendimi i Dr. Elina Kërpaçevës - juriste me përvojë shkencore, pedagoge në Britaninë e Madhe, me interes në problemet e parandalimit të krimeve financiare dhe rregullimit transnacional të veprimtarisë ekonomike. Ajo është gjithashtu themeluese e një qendre evropiane që merret me përputhshmërinë normative, e cila përfshin ekspertë nga Evropa Qendrore dhe Lindore: 

"Ndoshta dihet pak që aktualisht ekzistojnë dy zona off-shore në Rusi, të cilat quhen rajone të  veçanta administrative. Ato krijuan stimuj tatimorë për të tërhequr kompanitë ruse dhe oligarkët rusë që ishin në juridiksione të tjera. Dhe ato e bënë këtë me sukses, pasi të dhënat tregojnë se shumë struktura holdingu që ishin regjistruar më parë në Qipro - një juridiksion shumë i preferuar nga oligarkët rusë, u kthyen, u riatdhesuan në Federatën Ruse. Një shembull i tillë është një nga oligarkët më të famshëm - Oleg Deripaska, i cili e zhvendosi kompaninë e tij dhe e ktheu atë në Rusi. Pra, po, mund të themi se Rusia është një parajsë fiskale sepse ka zona off-shore dhe ato janë krijuar shprehimisht për të anashkaluar regjimet e sanksioneve ndërkombëtare. Lista e juridiksioneve jo-bashkëpunuese lidhet me parimet e mira të taksimit, taksimin e drejtë dhe transparencën e tij. Por në të njëjtën kohë ndihmon në zbulimin e pronarëve përfitues, prandaj lidhet me zbulimin e skemave për të anashkaluar regjimet e sanksioneve ndërkombëtare dhe skemat që lidhen me pastrimin e parave.

Si funksionon kjo listë e zezë?

Lista e zezë është një direktivë drejtuar autoriteteve të shteteve anëtare, të cilat janë të detyruara të marrin masat e nevojshme administrative kundër juridiksioneve të përfshira në listë. Kjo do të thotë që autoritetet tatimore të shteteve anëtare duhet të kenë monitorim të shtuar të transaksioneve dhe bizneseve që operojnë ose kanë ndonjë lidhje me këto juridiksione të listuara jo-bashkëpunuese. Me fjalë të tjera, nëse një kompani është themeluar në një parajsë fiskale, ka të ngjarë t'i nënshtrohet kontrolleve dhe auditëve shtesë nga autoritetet tatimore të shteteve anëtare. Por ka padyshim shumë zona gri që mund të përdoren për të anashkaluar regjimet e sanksioneve ose për disa praktika tatimore që nuk janë të lejueshme. Këtu kemi të bëjmë me një aktivitet specifik të inteligjencës financiare dhe organet shtetërore të shteteve të veçanta anëtare duhet të trajnohen dhe të disponojnë resurset specifike për t'u marrë me këtë”

A e arrijnë qëllimin e tyre paketat e sanksioneve - me kufizime ekonomike për të arritur epërsinë ndaj Rusisë dhe për ta bërë atë të tërhiqet? Deri ku mund të vazhdojë kjo politikë, sa kufizime të tjera të tilla mund të vendosë Bashkimi Evropian?

Së pari duhet të themi se sanksionet e Bashkimit Evropian janë të paprecedentë, pasi për herë të parë kemi sanksionuar një ekonomi që ka një rëndësi të tillë sistemore si për Bashkimin Evropian, ashtu edhe për tregtinë ndërkombëtare. Vija e hollë e kuqe do të jetë se deri ku vendet anëtare janë të gatshme të përballojnë efektin negativ të kufizimit të marrëdhënieve ekonomike. Në këtë kuptim, nuk ka gjasa që së shpejti të arrihet një ndalim i importit të karburantit bërthamor ose vendosja e masave të caktuara të synuara kundër Rosatom. Mund të thuhet me një shkallë të lartë sigurie se Bashkimi Evropian do të vazhdojë me masat kufizuese individuale ndaj personave që e mbështesin veprimin ushtarak politikisht dhe ekonomikisht. Pra, tema e oligarkëve rusë dhe e ngrirjes dhe sekuestrimit të aseteve të tyre do të vazhdojë të jetë shumë aktuale. Do të punohet për unifikimin e sanksioneve financiare kundër bankave dhe institucioneve të tjera financiare ruse, si dhe do të punohet për të shtuar ndalime të reja në lidhje me importin dhe eksportin e produkteve teknologjike dhe industriale. Nuk do të arrihet në një embargo të plotë dhe një ndalim të tregtisë, për shembull, të produkteve ushqimore” .

Për sa i përket arritjes së objektivave të tyre, ata i arritën objektivat e tyre në aspektin e reputacionit të regjimeve të sanksioneve ndërkombëtare. Ata treguan përkushtim, koherencë politike, theksuan rëndësinë e normës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vendosën nën një stigmë shoqërore mosrespektimin e këtyre normave të së drejtës ndërkombëtare. Dhe sa i përket aspektit kufizues, domethënë se cili ka qenë ndikimi i regjimit të sanksioneve në ekonominë ruse - deri tani numrat tregojnë një rezultat të përzier. Po, ekonomia ruse është tkurrur gjatë vitit të kaluar, por me një ritëm më të ngadaltë se sa pritej. Kjo është arsyeja se pse ne kemi një rezultat të përzier. Dhe së fundi, aspekti shtrëngues i sanksioneve - duke ndikuar në qëllimet politike dhe sjelljen e Federatës Ruse për të ndaluar agresionin: kuptuam që kjo nuk funksionon për momentin. Në vitin e fundit, konflikti madje u përshkallëzua. Pra, duhet të mendojmë për sanksionet si një nga mjetet e politikës ndërkombëtare dhe se vetëm sanksionet nuk mund të përcaktojnë rrjedhën e një konflikti.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal nga eteri në bullgarisht KËTU.



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Magjia e Krishtlindjes - nga bekimi i lashtë deri te shfaqja e plakut të mirë në trojet tona

Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..

botuar më 24-12-25 4.45.PD

Patriku Daniill: Me besim të gjallë, le t'i bëjmë zemrat tona grazhde, që në to të lindë Zoti i Mitur

Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse.  “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..

botuar më 24-12-24 6.05.MD

Nisma “Krishtlindjet Bullgare” mbledh fonde për pajisje të teknologjisë së lartë për trajtimin e fëmijëve

Mbrëmjen e 25 dhjetorit në Teatrin Kombëtar “Ivan Vazov” nën patronazhin e kreut të shtetit do të zhvillohet edicioni i njëzet e dytë i shfaqjes bamirëse “Krishtlindjet Bullgare”. Nisma është nën moton “Të japim shpresë një fëmije në vështirësi”, dhe..

botuar më 24-12-24 2.48.MD