Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Doc. Spas Tashev nga Akademia Bullgare e Shkencave para Radio Bullgarisë:

Për regjistrimin në Shqipëri dhe rëndësinë e tij për pakicën kombëtare bullgare

7
Spas Tashev
Foto: BTA

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Shqipëri përfundoi më 15 nëntor. Filloi më 18 shtator, duhej të përfundonte më 28 tetor, por u zgjat me dy javë. Sipas rekomandimit të OKB-së dhe BE-së, nga data 20 nëntor deri më 20 dhjetor të vitit 2023 do të bëhet një anketë, përmes së cilës do të vlerësohet cilësia e procesit të regjistrimit, njofton BTA. Ky është regjistrimi i dymbëdhjetë kombëtar në vend që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Ai i pari u krye në 1923.

Megjithatë, regjistrimi i vitit 2023 është i pari që kur shteti shqiptar i njohu zyrtarisht bullgarët si pakicë kombëtare në vitin 2017, prandaj po ndiqet me interes të veçantë edhe në Bullgari. “Kryerja e një regjistrimi sipas standardeve evropiane është një nga kërkesat ndaj Shqipërisë përpara nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ky është një lloj testi për gatishmërinë e vendit për të zbatuar standardet e Eurostat-it - komentoi për Radio Bullgarinë Doc. Spas Tashev nga Akademia Bullgare e Shkencave, studiues dhe autor i librit "Bullgarët në Shqipëri", botuar së fundmi edhe në shqip.

“Gjatë regjistrimit isha në Shqipëri dhe duhet t'ju them se mora reagime pozitive nga kudo për qëndrimin e mirë të autoriteteve shqiptare ndaj popullsisë bullgare. Dhe ne mund ta përgëzojmë Shqipërinë për organizimin e mirë dhe t'i urojmë fillimin real të negociatave sa më parë, për të qenë në një familje të përbashkët evropiane. Regjistrimi duhej të përfundonte në fund të tetorit, por ai u zgjat deri më 15 nëntor dhe shkak për këtë ishte lëvizja e shtuar e migrimit të popullsisë drejt qyteteve të mëdha të raportuar gjatë asaj periudhe, gjë që ua vështirësoi regjistruesve të arrijnë të gjithë qytetarët shqiptarë në to. Dhe pikërisht këtu lindi një problem, i cili është më tepër problem i komunitetit bullgar dhe jo i shtetit shqiptar. Konkretisht bëhet fjalë për Bashkinë Pustec në rajonin e Prespës së Vogël. Rezultoi se Maqedonia e Veriut kishte marrë informacione nga mbështetësit e saj dhe nga organizata promaqedonase të përfaqësuara në komisionet e regjistrimit, se mbi 20 për qind e popullsisë në Prespën e Vogël u deklaruan si bullgare. Dhe sipas standardeve, nëse kemi një pakicë etnike mbi 20 për qind të popullsisë së një zone të caktuar, ajo ka të drejtë të përdorë gjuhën e saj amtare si gjuhë zyrtare për bashkinë. Është mirë të theksojmë se kjo është një komunë që deri vonë konsiderohej se ishte 100 për qind e banuar me maqedonas.”

Pogradeci, Shqipëria Lindore

Pikërisht kjo, sipas fjalëve të Doc. Tashev, nxiti dëshirën për të organizuar një lloj turizmi regjistrimi nga ana e Maqedonisë së Veriut:

“Ata u përpoqën që të organizojnë persona të lindur në Prespën e Vogël, të cilët jetojnë nja 20-30 vjet në territorin e Maqedonisë së Veriut, të bëjnë vizita të organizuara me autobusë dhe të regjistrohen veten, në mënyrë që të rritet numri i maqedonasve të regjistruar për të ulur pjesën relative të popullsisë bullgare nën 20 për qind. Tani mbishkrimet në Prespën e Vogël janë në shqip dhe maqedonisht, dhe nëse regjistrimi raporton më shumë se 20 për qind bullgarë, atëherë gjithçka do të shkruhet në tri gjuhë, përfshirë këtu dhe në bullgarishten letrare. Nuk e di nëse kjo fushatë ishte e suksesshme. Por unë paraqes informacionin e dhënë nga vetë qytetarët e Prespës së Vogël, të cilët ishin të shqetësuar shumë.”

Tabela shkollore në fshatin Cërnalevo, Gora e Kukësit
Doc. Spas Tashev na njoftoi për një tjetër akt alarmues. Gjatë periudhës së regjistrimit, disa faqe interneti filluan të pretendonin se në Shqipëri nuk ka dhe nuk kishte pasur kurrë bullgarë.

“Së pari, një deklaratë e tillë bie ndesh me të drejtën për vetëvendosje. Në fund të fundit, nuk është çështja e Shkupit apo e dikujt tjetër, nuk është as çështja ime, se kush dhe si do të deklarohet - shpjegon Doc. Tashev. - Është fakt i dukshëm se atje ka persona që ndihen maqedonas dhe askush nga Bullgaria nuk e konteston të drejtën e tyre për t'u deklaruar si të tillë. Por është gjithashtu e qartë se ka persona me vetëdije bullgare, gjë që nuk është detyrë e Shkupit t'i ndalojë këta njerëz dhe t'u thotë, se nuk janë bullgarë. Paradoksi më i madh është me deklaratën se nuk ka pasur kurrë bullgarë në Shqipëri. Kjo bie ndesh me të gjitha faktet në fushën e statistikave për këtë rajon. Edhe në regjistrat zyrtarë statistikorë të Perandorisë Osmane për vilajetin e Manastirit, në të cilin ndodhet rrethi i Prespës së Vogël, flitet vazhdimisht për praninë e bullgarëve. Për shembull, në regjistrat e vitit 1891, në Prespën e Vogël ishin regjistruar 4778 bullgarë ose 55.7 për qind e popullsisë. Kemi edhe dy regjistrime shumë interesante, të realizuara në vitin 1918 - njëri në rajonin e Korçës dhe i bërë nga autoritetet pushtuese franceze dhe tjetri - në rajonin e Gorës dhe Dibrës - nga forcat pushtuese austro-hungareze. Të gjitha këto dëshmojnë për një numër të madh të popullsisë, e cila përkufizohet si bullgare.”

Kukësi, Shqipëria Veriore

Sipas Doc. Spas Tashev, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet më tepër të bashkëpunojnë në lidhje me këtë popullsi, ngjashëm me përvojën që Austria dhe Gjermania kanë në pjesën italiane të Alpeve.

“Në të kaluarën, kjo popullsi ka qenë pjesë e Austro-Hungarisë dhe sot e përkufizon veten si gjermane. E megjithatë, si Austria ashtu edhe Gjermania e mbështesin atë. Mendoj se në rastin tonë, si Bullgaria ashtu edhe Maqedonia e Veriut duhet të shkojnë krah për krah dhe t'i ndihmojnë këta njerëz të zgjidhin problemet e tyre socio-ekonomike. Dhe në regjistrimin aktual, secili ka lirinë të vendosë se si ta përkufizojë veten. Është një e drejtë personale. Dhe e falënderojmë Shqipërinë që krijoi kushtet që këta njerëz të shprehen pa asnjë presion. Sepse në kohën e Enver Hoxhës është bërë një presion i tillë. Pas vitit 2017, kur komuniteti bullgar u njoh zyrtarisht, mbi bazën e 4500 nënshkrimeve të mbledhura dhe dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, me një kopje në Parlamentin Evropian, për të sfiduar të drejtën e këtyre njerëzve për t'u deklaruar si bullgarë është jodemokratike për të thënë të paktën. Por duam të theksojmë edhe një herë – Shqipëria respektoi të gjitha standardet demokratike, që është një tregues i mirë i rrugës së saj drejt Evropës”.

Festa në Golloborda

Spas Tashev shprehu shpresën se deri në fund të vitit mund të dalin rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. Në rast se një numër i mjaftueshëm njerëzish u përcaktuan si bullgarë, ata do të mund të gëzojnë një sërë të drejtash.

“Për shembull, bullgarët do të kenë të drejtë të dëshirojnë të ndahen në komuna të pavarura, d.m.th. të mund të zgjedhin kryetarin e tyre qendror dhe kryetarët e komunave. Ata do të mund të aplikojnë për programe të ndryshme evropiane për bashkëpunim ndërkufitar, kështu që do të kenë mekanizma administrative për të zhvilluar bashkëpunimin e tyre me Bullgarinë tashmë në nivel evropian ose në kuadër të programeve evropiane. Krahas kësaj, ata do të kenë të drejtë të studiojnë bullgarishten letrare në shkollat ​​publike. d.m.th. me të vërtetë ka perspektiva të mira për zhvillim. Distancat midis Shqipërisë dhe Bullgarisë nuk janë të mëdha dhe mund të ndodhë një migrim krejtësisht i natyrshëm për motive punësimi - sezonal ose afatgjatë. d.m.th. tani e tutje ne mund të presim vetëm një efekt pozitiv.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, Krasimir Martinov, facebook.com/Nasha.Golloborda




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

WWF - Bullgaria nis fushatën e donacioneve "Abonohu për natyrën"

Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu ​​për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...

botuar më 24-11-06 11.43.PD

Bullgarët e vetëshpallur në Maqedoninë e Veriut janë shumë më tepër se ata të regjistruar

Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..

botuar më 24-11-05 7.05.PD

Si do të ndikojë në BE rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..

botuar më 24-11-04 10.30.MD