Norvegjia nuk është ndër vendet që tërheqin emigrantë masivë nga Bullgaria. Megjithatë, rreth 6000 shtetas të regjistruar në ambasadën bullgare në kryeqytetin norvegjez Oslo janë shtetas bullgarë. Shumica e bashkatdhetarëve tanë në Norvegji janë të punësuar në ndërtim, si dhe në sektorin e shërbimeve, dhe një nga synimet aktuale të komunitetit tonë atje është krijimi i një linje ajrore të përhershme direkte ndërmjet Sofjes dhe Oslos. Kryeqyteti bullgar është një nga të paktët në Evropë me të cilin nuk ka një fluturim të tillë, me përjashtim të periudhës nga prilli në tetor, kur kurse të tilla drejtohen nga një kompani me kosto të ulët.
Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por për shkak të depozitave të naftës dhe mineraleve të tjera, standardi i jetesës së qytetarëve është vazhdimisht në rritje, ndërsa ndaj emigrantëve nuk ka qëndrim negativ, dhe kërkesa për fuqi punëtore është vazhdimisht në rritje e sipër. Edhe pse është e vështirë, është e mundur të integrohesh pa ditur gjuhë norvegjeze, pasi edhe anglishtja flitet kudo. E gjithë kjo e bën më të lehtë për bullgarët që kërkojnë realizim profesional në vendin verior.
Ndër bashkatdhetarët tanë që zgjodhën të jetojnë në Norvegji për arsye ekonomike është edhe Nikollaj Vazov. Ai u vendos në Oslo me gruan e tij në vitin 2006, pa pothuajse asnjë informacion për vendin, pasi asaj iu afrua një punë si mjeke atje. Ai vazhdon të punojë si inxhinier kompjuteri, ndërsa kohën e lirë ia kushton komunitetit bullgar. Në vitin 2017, Nikollaj u bë pjesë e bordit drejtues të shkollës “Rodna Reç”, dhe dy vite më vonë, u bë pjesë e listës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shkollat e së dielës jashtë vendit. Sot, 100 fëmijë shkollohen në të në Oslo dhe 25 të tjerë në filialin në qytetin norvegjez Stavanger.
“Shkolla është gjithashtu pjesë e Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit, megjithëse ne nuk marrim pjesë shumë aktive, sepse si shumica e shkollave në qytete me një numër relativisht të vogël bullgarësh, ne nuk mund të përballojmë të punësojmë njerëz për punë të përhershme. Mësuesit tanë paguhen me honorar vetëm të shtunave dhe të dielave. Ne nuk mund të konkurrojmë me shkolla si ato të Parisit dhe Londrës, ku kanë disa shkolla dhe kanë staf mësuesish të punësuar me kontratë”.
Profili i emigrimit bullgar në Norvegji është shumë i ndryshëm nga ai i qyteteve si Parisi, Londra dhe Berlini, shpjegon Nikollaj:
“Mes nesh ka një numër të madh fëmijësh nga grupet minoritare, kryesisht nga ato turke, dhe unë e admiroj këmbënguljen me të cilën prindërit i dërgojnë këta fëmijë në shkollë. Nga ana tjetër, nuk është shumë e lehtë të punosh dhe të komunikosh me këta prindër sepse zakonisht janë të zënë të shtunave dhe të dielave, dhe sjellja e fëmijëve në shkollë për ata është një vështirësi më vete."
Nikollaj Vazov vuri në dukje një problem tjetër të rëndësishëm me të cilin përballet përvetësimi i gjuhës bullgare - hezitimi i disa prindërve për të folur me fëmijët e tyre në shtëpi në bullgarisht.
"Grupi më kompakt i atyre që nuk flasin bullgarisht në shtëpi janë turqit etnikë. Ne përpiqemi të flasim vazhdimisht me prindërit. Jemi me fat që njohim prindër me qëllime jashtëzakonisht të mira, të cilët, megjithatë, nuk kanë përvojë jetësore për të jetuar në një mjedis ku fliten shumë gjuhë. Fëmijët e tyre bien në një mjedis tregjuhësh - norvegjisht, turqisht dhe bullgarisht. Disa prej tyre janë shumë keq me gjuhën bullgare dhe për këtë arsye u kërkojmë prindërve të caktojnë një kohë për të folur me fëmijët e tyre në bullgarisht, sepse prindërit e flasin mirë bullgarishten, por fëmijët e tyre jo. Prandaj them se profili i emigrimit në Norvegji është i veçantë, pasi është e vështirë të bindësh prindërit se duhet të ndihmojnë. Është e rëndësishme që të gjithë fëmijët që regjistrohen tek ne të flasin të paktën pak bullgarisht."
Shkolla "Rodna Reç" është qendra më e madhe e njerëzve të lidhur me Bullgarinë dhe gjuhën bullgare, por jo i vetmi vend ku ata mbajnë gjallë shpirtin bullgar. I tillë është grupi i vallëzimit folklorik "I-HA", i krijuar në vitin 2014. Drejtuesit e saj janë Ani Kovaçeva, Natalija Georgieva dhe vajza e saj Mira Georgieva.
"Ne u larguam sepse burri im mori një ofertë pune dhe vendosëm që e gjithë familja të ishte së bashku - kujton Natalija në lidhje me marrjen e vendimit për t'u larguar nga Bullgaria 10 vjet më parë. - Para se të largoheshim, Mira kërcente në një ansambël për fëmijë, më pas i mungonte kërcimi. Shumë rastësisht takuam Ani Kovaçevën dhe vendosëm që të vazhdonim për të ruajtur shpirtin bullgar, vallet dhe kështu gradualisht u shfaq grupi "I-HA". Ne ishim të ftuar në një festë të shkollës bullgare në Oslo dhe atje prindërit na pyetën nëse mund t'ua transmetonim vallet fëmijëve të tyre. Më pas vendosëm të krijojmë grupin e kërcimit për fëmijë, të përbërë kryesisht nga bullgarë, por shumë prej fëmijëve janë nga martesa të përziera”.
Fotot: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Shkolla e së dielës bullgare "Rodna Reç", në qytetin Oslo
Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Rezultatet e referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në BE, si një qëllim strategjik për t'u shkruar në kushtetutën e vendit, përforcuan pikëpamjen pro-evropiane të vendit, edhe pse me një dallim shumë të vogël nga euroskeptikët. Mirëpo, pritet..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Bullgari, në partneritet me Institutin Polar Francez "Paul-Emile Victor", Institutin Antarktik Bullgar, Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe Televizionin Kombëtar Bullgar organizojnë një takim..
Bullgarët e Besarabisë janë "pjesë e pandashme e fuqisë kombëtare bullgare, e bashkësisë shpirtërore dhe kulturore bullgare. Ata do të mbeten sepse lidhja mes nesh dhe tyre është e pathyeshme" - shkroi numri i vetëm i gazetës "Besarabia Bullgare",..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..