Rumania do të bëhet një qendër logjistike për rimëkëmbjen e Ukrainës
Në një konferencë me temë "Rimëkëmbja e Ukrainës dhe roli strategjik i Rumanisë" në pushimoren Sinaja, ekspertë rumunë dhe të huaj diskutuan sfidat me të cilat përballet rimëkëmbja e Ukrainës, përkatësisht sigurinë e energjisë dhe ushqimit, lirinë e lundrimit dhe rolin që Rumania mund të luajë në këto sfera. Në forum, kryeministri Marçell Çolaku njoftoi se një qendër logjistike për rimëkëmbjen dhe ndihmën për Ukrainën do të krijohet në territorin rumun, njoftoi Radio “Rumania Internacional”. Në një fjalim video, kryeministri ukrainas Denis Shmigall shprehu besimin se vendi i tij së shpejti do të bëhet pjesë e BE-së. Ai falënderoi Rumaninë për mbështetjen e saj humanitare dhe ekonomike dhe theksoi se 70% e grurit ukrainas eksportohet aktualisht përmes territorit të Rumanisë.
Protesta për buxhetin e shtetit bllokuan qendrën e Athinës
Punonjësit grekë në sektorin e buxhetit, administratës publike dhe shëndetësisë, si dhe studentë, protestuan kundër buxhetit të qeverisë së “Demokracisë së Re” për vitin 2024. Buxheti i ri u hartua "kundër popullit", besojnë ata dhe kërkojnë rritje reale të pagave, punë të garantuara, ndihma të ndryshme financiare dhe më shumë para për kujdesin shëndetësor dhe arsimin, njoftoi Televizioni Kombëtar Grek ERT dhe korrespondentja e BNR në Greqi Katja Peeva. Gjatë marshimeve protestuese, rrugët qendrore në Athinë u mbyllën. Nëpunës civilë të pakënaqur u përpoqën të hynin në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme dhe të takonin personalisht ministrin për të paraqitur kërkesat e tyre, por policia përdori gaz lotsjellës kundër tyre.
Kozmonauti i parë turk do të fluturojë në hapësirë në janar
9 janari 2024 është data kur Turqia do të dërgojë astronautin e saj të parë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Lajmin e bëri të ditur ministri turk i industrisë dhe teknologjisë Mehmet Fatih Kaxhar, cituar nga TRT-Haber. Nderi i shkon pilotit në Forcat Ajrore Turke Alper Gezeravxhë. Bashkë me të për mision përgatitej edhe Tuva Atasever, inxhinier në kompaninë turke “Roketsan”, por u preferua Gezeravxhë. Të dy u zgjodhën ndër 36 000 kandidatë. Ministri theksoi se misioni ka një rëndësi të madhe për prezantimin e potencialit shkencor dhe teknologjik të Turqisë. Pritet që në hapësirë të kryhen 13 eksperimente shkencore. Në vitin 2021, presidenti Rexhep Erdogan njoftoi fillimin e një programi kombëtar hapësinor prej 6 miliardë dollarësh, duke përfshirë trajnimin e astronautëve dhe dërgimin e raketës së vet në Hënë.
Qiproja subvencionon banesa të studentëve në pjesën e vjetër historike të Nikozisë
Qeveria e Qipros po subvencionon falas me afro 15 milionë euro banesa të studentëve në pjesën e vjetër historike të kryeqytetit Nikozi, njoftoi korrespondentja e BNR, Branisllava Bobanac. Fondet do t'u jepen personave fizikë dhe juridikë, pronarë ose qiramarrës të pronave në pjesën e vjetër të kryeqytetit për të rinovuar ndërtesat e tyre dhe për t'i kthyer ato në banesa ose dhoma për studentë. Sipas Ministrisë së Brendshme, projekti synon rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të zonës duke tërhequr të rinjtë dhe duke siguruar strehim për ta me çmime të përballueshme. Subvencioni do të mbulojë 75% të kostove për rindërtimin e pronave. Shuma totale prej 15 milionë euro është përfshirë në Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës.
Përpilues: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Facebook /Marcel Ciolacu, BGNES, Pixabay, axiomspace.com
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës. "Jam i lumtur të njoftoj emërimin e..
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga..