Disa njerëz në jetë kënaqen duke u marrë vetëm me një gjë të caktuar, por jo dhe ky njeri. Mjek reumatolog, skenarist, shkrimtar, profesor Zlatimir Kolarov është dëshmi se nëse njeriu ka dëshirë, mund t’ia dalë në çdo gjë.
Dëshira për t'u bërë mjek ishte thjesht "rruga e natyrshme", siç e quajti ai, pasi është rritur në një familje mjekësh. "Prindërit e mi ishin mjekë. Gjyshja ime nga ana e mamit ishte mjeke popullore. Dy breza më parë ishin priftërinj. Njerëz shpirtërorë, njerëz që jepnin shëndet shpirtëror" - thotë ai.
Profesor Kolarov flet për gjyshen e tij Rajna, të cilën e kujton si një grua shumë inteligjente. Edhe pse kishte studiuar vetëm deri në klasën e katërt, ajo ishte një grua shumë e lexuar. Ishte pikërisht ajo që zgjoi tek “Zlatimirço” i vogël (siç e quante me përkëdheli) dashurinë për librat. Profesori kujton se si prej saj dëgjoi për herë të parë për autorin Viktor Hygo dhe romanin e tij "Të Mjerët".
Gjyshe Rajna hapi për të jo vetëm rrugën e letërsisë, por edhe të mirësisë. Ajo ishte një frymëzim për të. Ai tregon se si gjyshërit e tij strehonin ndonjë fëmijë jetim në shtëpinë e tyre në fshatin Suvorovo, që në atë kohë quhej Kozlluxha, dhe ky fëmijë jetonte në kushte të barabarta me katër dajallarët dhe nënën e tij. Madje nëse fëmija ishte vajzë, i përgatisnin edhe pajë. Profesor Kolarov kujton se si gjyshe Rajna nuk i ndante njerëzit në bazë të fesë ose parimeve të tjera. Ajo madje rriti edhe një fëmijë me origjinë turke të quajtur Mehmet. I ndihmonte njerëzit e fshatit dhe ata e kujtojnë vazhdimisht për mirë. Ndjenjën e njerëzisë, anën shpirtërore dhe mirësinë e saj e kanë trashëguar fëmijët dhe nipërit. Kështu lindi dëshira e profesor Kolarovit për t'u bërë mjek.
Megjithatë, rruga drejt këtij profesioni nuk ka qenë aspak e lehtë. Profesori kujton se edhe pse babai i tij ishte një person shumë i realizuar dhe i njohur në shoqëri (ai ishte profesor i asociuar, kirurg maksilofacial, zëvendësdekan i fakultetit stomatologjik dhe sekretar partie në atë kohë), ai nuk mori asnjë mbështetje nga i ati në këtë drejtim. Pavarësisht marrëdhënies së ngrohtë dhe të ngushtë mes babait dhe djalit, atij iu desh të çante në profesion i vetëm, pa ndihmë. Por mundi dhe puna shpërblehen: ai mbaroi arsimin e lartë me nota të shkëlqyera dhe një medalje të artë. Më pas kalon 10 vite të jetës së tij në provincë ku e kishin emëruar, kurse nga viti 1991 punon në Klinikën e Reumatologjisë të Universitetit Mjekësor të Sofjes, ndërsa nga viti 2007 është shef i departamentit “Sëmundjet sistemike të indit lidhor”.
Profesor Kolarov ka marrë pjesë edhe në sistemin arsimor, por pasi mbushi 68 vjet e braktisi sistemin universitar dhe tani vazhdon si mjek dhe profesor në klinikë. Dy këshillat më të vlefshme që ai u thoshte studentëve të tij janë:
“Së pari, ta pranojnë profesionin si mision. Dhe unë kam qenë gjithmonë i kujdesshëm që të mos tingëlloja si një pastor që udhëzon nga foltorja, por që ata ta pranonin profesionin si mision. Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë diçka. Puna ime është t'i ndihmoj njerëzit dhe kjo do t'i mbrojë ata nga presioni i profesionit, sepse është shumë profesion i vështirë. Turne nate, përgjegjësi gjatë ditës, njerëz të sëmurë, njerëz të pakënaqur, gjendje në kufi me jetën, sprova të moralit, të forcës, por nëse e pranojnë si mision, nuk do ta ndjejnë peshën e punës. Do të jenë të lodhur, por jo të rraskapitur. Dhe gjëja tjetër më e rëndësishme është të jesh njeri, sepse nëse humbasin njeriun brenda vetes së tyre, humbasin gjithcka. Një miku im filozof thotë se trupi është shtëpia e shpirtit, duhet ta mbajmë shtëpinë të rregullt, të pastër, por të mos harrojmë shpirtin tonë."
Profesor Kolarov ndan mendimin e tij se shumë njerëz bien pre e instikteve të bujshme parësore dhe fillojnë luftëra, të cilat, sipas tij, janë një çmenduri e vërtetë. “Çmenduri që unë si mjek nuk mund ta pranoj dhe gjithmonë them dhe e përsëris se ne mjekët luftojmë për çdo sekondë jete, çdo qelizë të trupit të njeriut, çdo pikë gjaku, ndërsa në luftë derdhet gjaku si lumë. Të rinj që humbin jetën, është e paimagjinueshme”.
Ajo që e qetëson dhe e gëzon njëkohësisht është toleranca etnike në Bullgari, të cilën ai ka mundur ta shohë edhe në Shqipëri. Profesor Kolarov kujton një ngjarje që i ka bërë përshtypje të madhe. Ai tregon se si ai dhe të njohurit e tij nga Shqipëria vizituan një tempull të krishterë dhe gruaja e mikut të tij, e cila është myslimane, ndezi një qiri, u lut dhe bëri kryqin. Në dalje nga tempulli, ai pa edhe një foto në të cilën një katolik, një ortodoks, një dervish dhe një mysliman ishin kapur për dore.
"Kjo është ëndrra ime për Ballkanin, sepse ne jemi një pëllëmbë tokë, por luftojmë me njëri tjetrin. Pse? Çfarë jemi duke ndarë? Një përkulje të thellë për Shqipërinë dhe shqiptarët që njohën komunitetin e minoritetit bullgar atje."
Këto janë edhe disa nga mesazhet që ai u dërgon njerëzve përmes veprave të tij. Mesazhe mirëkuptimi, dashurie dhe të zotërimit të vetvetes, që është lufta më e vështirë.
Novela e parë që shkroi profesor Kolarov quhet "Causa Perduta". Në të tregohet historia e një mjeku shumë të mirë radiolog, i cili ka disa shqetësime në stomak, bën një radiografi të cilën kolegët e tij e fshehin, por ai e gjen dhe thotë: "Kolegë, nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, jam i sëmurë me kancer, kjo është diagnoza ime." Për shkak të kësaj, ai vendosi të priste arterien e tij femorale dhe të kryente vetëvrasje, por pas autopsisë kancer nuk u gjet. Një absurditet i madh fshihet në këtë histori, profesionisti që i vendos vetes një diagnozë të gabuar. Më vonë, kjo novelë, së bashku me dy novela të tjera, u përfshinë në romanin "Illusio Magna", mbi të cilin u bazua edhe filmi "Hi mbi diell".
Pyetjes se çfarë letërsie i pëlqen të shkruajë më tepër, ai përgjigjet:
"Gjithçka. Ndjej një dëshirë të furishme për ta zotëruar fjalën në të gjitha format e saj të mundshme. Është gabim i thellë të mendosh se fjala është e njëjtë. Nuk është aspak e njëjta gjë, është krejtësisht ndryshe në letërsinë artistike, në literaturën shkencore, në poezi, në gazetari, nëpër skenare. Ka vetëm një gjë të përbashkët - që punohet me të njëjtin material - fjalët. Fjalët janë pasioni im dhe i kam provuar në numrin maksimal të zhanreve dhe formave. Në fushën e shkencës, kam shkruar gjithçka që njeriu mund të imagjinojë - raste klinike, artikuj shkencorë, disertacione, monografi, tekste shkollore. Në fushën e letërsisë artistike kam shkruar tregime të shkurtra dhe shumë të shkurtra, novela, romane, skenarë për filma të ndryshëm etj."
Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, bashkëbiseduesi na thotë se është një vend që i ka lënë mbresa shumë të mira dhe njëkohësisht e ka njohur me shumë njerëz. Autori ka një miqësi të gjatë me Konsullin e Nderit të Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, zotin Selim Hoxhaj, me të cilin kanë xhiruar edhe një film së bashku. Ata u njohën para 10 vitesh, kur z.Selim solli për kontroll gruan e tij, e cila ishte me artrit në gju. Me shpresa të humbura, kërkojnë ndihmën e profesorit, i cili arrin ta shërojë dhe në shenjë mirënjohjeje ata e ftojnë në Shqipëri. Pas një vonese të gjatë, prof. Kolarov më në fund vendosi të vizitojë tokën e bunkerëve, e cila për habinë e tij rezultoi të ishte ndryshe nga ajo që kishte imagjinuar:
"Pashë vendin duke u ringjallur. Pashë edhe gjurmë nga e shkuara. Ne u takuam me shqiptarë të diplomuar në Bullgari, të cilët kanë një ndjenjë shumë të ngrohtë për Bullgarinë dhe që ende e mbajnë mend gjuhën bullgare."
Profesori kujton sesi vite më parë, sërish falë Selimit, ishte pjesë e një festivali për filma në qytetin e Pogradecit, ku u prezantua filmi “Rruga drejt majës”. Përsëri, vendi i la përshtypje të mrekullueshme dhe ai është i bindur fort se Shqipëria ka një vend dhe duhet të jetë në Bashkimin Evropian.
Një nga librat e profesor Kolarovit me titull “Në sipërfaqen e hollë të akullit” tashmë është përkthyer në shqip, ndërsa përkthyese të librit janë Janka Selimi dhe Milena Selimi.
"Libri i kushtohet grave me të cilat jeta më ka njohur nga afër ose gruas përmes syrit dhe shpirtit të një burri. Unë e shikoj gruan në spektrin më të gjerë të mundshëm. Për gratë me të cilat jeta më ka takuar nga afër. A janë shumë në numër? Më duket se kanë qenë pak, mund të kishin qenë edhe më shumë – thotë me shaka autori.- Gruaja e parë është nëna, gruaja e dytë është gjyshja, gruaja tjetër është bashkëshortja, gruaja tjetër është dashnorja, gruaja tjetër është ajo që të ka braktisur..."
Nëpërmjet këtij libri autori shpreh admirimin e tij të thellë për figurën e gruas – në të gjitha dimensionet e saj jetësore. Prezantimi i romanit në Shqipëri do të jetë midis datës 1 dhe 3 mars. Libri pritet të përkthehet edhe në gjermanisht.
Zlatimir Kolarov... Për disa autor, për të tjerë mjek. Për disa artist, për të tjerë hero. Një personalitet shumë interesant dhe plot ngjyra. Një njeri me shpirt të madh që nuk ndalet kurrë së bëri mirësi.
“T’i japim dorën njëri-tjetrit, të jetojmë së bashku, të gjejmë pikat e përbashkëta që na bashkojnë dhe të mos mendojmë për pikat që na ndajnë. Të mos biem pre e ligësisë, agresionit, sepse ato japin fryte të përgjakura” – ky është mesazhi i mjekut që mban në vetvete shpirtin e një artisti.
Foto: FB / Zlatimir Kolarov, Kostandina BelloNë festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit Julian, piktorja Ekaterina Titova prezantoi veprat e saj të reja në ekspozitën "Përmes fuqisë së..
Bullgarja Sasha Bezuhanova, një menaxhere e njohur ndërkombëtarisht në industrinë dixhitale dhe një filantrope, u nderua me çmimin prestigjioz Women in Tech Global Lifetime Achievement 2024 për një kontribut të përgjithshëm në zhvillimin e teknologjisë dhe..
"Dy ditët më të rëndësishme në jetë janë dita kur keni lindur dhe dita kur e zbuloni pse." Ky është një mendim që i atribuohet shkrimtarit të famshëm Mark Twain. Bashkëbiseduesja jonë ndjek gjurmët e dashurisë, të cilat e çojnë në një vend tjetër, në një..
Në festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit..