Ose paratë të vijnë nga të ardhurat e grumbulluara nga asetet ruse të “ngrira” për shkak të luftës.
Ideja mori kritika nga Moska - disa ditë pas zgjedhjeve presidenciale dhe disa orë para sulmeve terroriste në periferi të saj.
Në fokus gjatë një samiti në Bruksel ishte ideja e përdorimit të të ardhurave nga sekuestrimi i pronave ruse nga Bashkimi Evropian për të armatosur Ukrainën.
Për këtë qëllim, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, sugjeroi përdorimin e 90 për qind të interesit për asetet e ngrira ruse:
“Supozoj se liderët do të mbështesin propozimin tim për të konfiskuar fitimet nga asetet e ngrira ruse për të siguruar 3 miliardë euro në vit për mbrojtjen e Ukrainës."
"Mos i trembni njerëzit pa nevojë! Lufta nuk është në horizont! Ajo që është në horizont është nevoja për të mbështetur ukrainasit!" shtoi ai.
KE pritet të propozojë një tekst ligjor për të zyrtarizuar propozimin, si dhe për të shpjeguar mekanizmin me të cilin BE do të disponojë fondet.
"Bëhet fjalë për asetet e Bankës Qendrore Ruse. Ato janë ngrirë nga vendet e G-7, jo nga oligarkët, që është një çështje krejtësisht e veçantë," tha Daniel Frankini nga Qendra për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Evropiane në Universitetin e Sheffield për Programin “Horizont” të Radios Kombëtare Bullgare.
Lidhur me aktivet e ngrira ruse në Depozitimin Qendror të Letrave me Vlerë në Belgjikë Euroclear, ai shpjegoi se:
"Fitimet për të cilat po flasim i përkasin Euroclear, i cili është një institucion evropian. Megjithatë, këto janë fitime të jashtëzakonshme dhe arsyeja e vetme që Euroclear i mban ato janë sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës."
Pse ka vende të BE-së të rezervuara ndaj propozimit?
“Për vite me radhë, oligarkët rusë kanë eksportuar asete në Evropë, në të cilat janë të përqendruara jo vetëm paratë e bankave, jo vetëm fluksi i parave nga i cili përfiton Rusia, por edhe paratë e shumë oligarkëve rusë”, tha eksperti i sigurisë ndërkombëtaredhe menaxhimit të konflikteve doc. Iskren Ivanov.
“Ky është qëllimi indirekt i BE-së - nëpërmjet një ngrirjeje të tillë të aseteve dhe përdorimit të tyre për të blerë armë për Ukrainën, në fakt të çarmatoset një pjesë e ndikimit rus në Evropë. Problemi i madh është se Hungaria dhe Austria janë kundër”, theksoi ai, duke shpjeguar se pse vendet reaguan në këtë mënyrë ndaj idesë gjatë Këshillit Evropian:
“Hungaria është kundër për arsye të kuptueshme. Udhëheqësi i saj mban një flirt politik mjaft të ngushtë me Rusinë. Sa i përket Austrisë – prezenca ruse në Austri është serioze, reagimi i Karl Nehammer nuk ishte befasi.”
Irlanda dhe Malta shprehën gjithashtu rezerva.
"Unë madje u habita se pse Gjermania nuk reagoi kur disa muaj para luftës kishte biznesmenë shumë të pasur në Gjermani që bënin tregti me biznesmenët rusë. Nuk është për t'u habitur të shohësh disa vende që janë pro NATO-s, por nuk i miratojnë këto sanksioneve, sepse në praktikë ngrirja e aseteve ruse do të ndërpresë plotësisht kanalet e fundit të mbetura të ekonomisë ruse drejt Evropës”, theksoi politologu.
“A është e mundur që në korrik Ukraina të marrë këstin e parë të fondeve për blerjen e armatimeve?”
"Nëse ndihma amerikane vonohet, Evropa mund të mobilizojë dhe t'i dërgojë këto fonde në Ukrainë deri në korrik", tha docenti në Universitetin e Sofjes "Shën Klementi i Ohrit", por gjithashtu vuri në dukje se ai është "skeptik nëse armët që do të blejë BE do të jenë të mjaftueshme për Ukrainën":
"Bashkimi Evropian është shtylla kurrizore ekonomike e Ukrainës, por shtylla kurrizore ushtarake mbeten Shtetet e Bashkuara - nëse nuk zhbllokojnë ndihmën e tyre deri në fund të marsit, është shumë e mundur që të jetë fatalisht vonë, dhe kjo është arsyeja se pse Evropa është me nxitim”, shpjegoi doc. Ivanov:
Muajt prill, maj dhe qershor do të jenë kritikë, pasi ne po shohim se Rusia aktualisht po përgatitet për një sulm të ri në shkallë të gjerë ndaj Kievit.
“Sulmi terrorist në Moskë do të shërbejë si argument për mobilizimin e më shumë njerëzve”, parashikoi gjithashtu eksperti.
Zgjedhjet presidenciale në Rusi - një votim në një "errësim të plotë informacioni
“Është shumë e vështirë të nxirren përfundime të qarta për atë që ndodhi në zgjedhjet ruse, sepse për momentin në Rusi ka një mungesë të plotë informacioni. Për mua, legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve është i dyshimtë, sepse e vërteta është se Putini po përpiqet ta përqendrojë pushtetin rreth vetes dhe të solidarizojë rusët rreth tij në këtë luftë”, tha doc. Ivanov.
Lufta në Ukrainë, ndihma e bllokuar nga SHBA dhe retorika bërthamore e Rusisë - a janë ato një kërcënim për sigurinë në Evropë?
"Sa i përket luftës në Ukrainë - ne dëgjojmë disa herë jo vetëm retorikë konvencionale nga Moska - ne dëgjojmë retorikë bërthamore. Unë mendoj se kjo është më shumë se një provë bindëse se me të vërtetë Rusia do të vazhdojë këtë luftë derisa të arrijë qëllimet e saj."
"Po, Evropa po bëhet aktive! Po, Evropa e ka kuptuar se nuk mund të qëndrojë duarkryq. Dhe Evropa e ka kuptuar se duhet të krijojë një ushtri, por nuk ka asnjë mënyrë për të frenuar në mënyrë efektive Rusinë pa Shtetet e Bashkuara", theksoi eksperti mbi sigurinë ndërkombëtare dhe menaxhimin e konflikteve.
Sipas doc. Ivanov, ndihma e bllokuar amerikane e frikëson Evropën:
"E vërteta është se Evropa nuk ka para për të formuar një ushtri, ose të paktën një ushtri të teknologjisë së lartë. Por është mirë se ka vullnet!... Për momentin, në Evropë po flitet për krijimin e një Fondi të Përbashkët Evropian të Mbrojtjes dhe i cili tani e tutje të përdoren mjetet për në Ukrainë dhe fondet që do të përdoren për ndërtimin e një mbrojtjeje të përbashkët evropiane”, shpjegoi profesori nga Universiteti i Sofjes.
"Cila është alternativa ndaj një vendimi të tillë - të futen këto para në fondet e kohezionit apo në pjesën tjetër të fondeve të BE-së. Unë nuk mendoj se Evropa do të pajtohet me këtë, dhe edhe nëse e pranon - do të jetë thjesht një zgjidhje e përkohshme."
"Evropianët e kuptojnë mirë se një mbrojtje e përbashkët evropiane ka nevojë për institucionalizim. Krijimi i një figure të tillë si Komisioner Evropian i Mbrojtjes ose, le ta themi drejtpërdrejt, një Ministër Evropian i Mbrojtjes, me siguri do të kërkojë gjithashtu krijimin e një institucioni që do të jetë përgjegjës për mënyrën e shpërndarjes së këtyre fondeve. Vende si Franca, Gjermania, Belgjika, Holanda nuk do t'i lënë këto mjete në “duart” e fondeve të tjera."
Si reagon Rusia ndaj idesë së Evropës për të përdorur paratë e interesit të grumbulluara nga aktivet e bllokuara?
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova e përshkroi atë si "banditizëm" dhe "vjedhje", dhe homologu i saj nga Kremlini Dmitri Peskov tha se propozimi është në kundërshtim të ligjit ndërkombëtar.
A janë të mundshme sanksione përjatëse nga Moska? Për shembull, nëse kanë mbetur asete të kompanive perëndimore në Rusi, a mund të ndërmarrë Rusia veprime "pasqyrë"?
"Po, është shumë e mundur që kjo të ndodhë dhe unë do të jap shembullin e Austrisë. Le të imagjinojmë që ka asete austriake në Rusi, sepse Austria ka qenë gjithmonë pranë Rusisë. Ajo është një nga vendet më pro-ruse në BE. E vërteta është se një pjesë shumë e madhe e aseteve austriake që u eksportuan në Rusi mund të ngrihen dhe të përdoren nga Rusia. Kjo është arsyeja se pse vende si Austria janë aktualisht pesimiste për një hap të tillë nga ana e Bashkimit Evropian.”
Bankat perëndimore shprehën gjithashtu pesimizëm për idenë, si dhe shqetësime se ato mund të mbahen përgjegjëse nga Rusia ose duhet të paguajnë dëmshpërblim serioz.
"Do t’ju kujtoj se pas 11 shtatorit 2001, kur pati sulme terroriste në Nju Jork dhe Uashington - SHBA-të u kërkuan bankave zvicerane të thyejnë sekretin bankar për të dhënë informacion nëse midis aseteve në dispozicion të tyre nuk kishte asete të subjekteve që kanë lidhje me terroristët. Ky ishte një nga rastet e pakta kur bankat zvicerane kanë thyer sekretin bankar dhe kanë dhënë informacione për pasuritë", tha docenti nga Universiteti i Sofjes.
“Për momentin, ajo nga e cila kanë frikë shumë banka evropiane është se në disa sekrete bankare mund të ketë emra të politikanë evropianë me ndikim, biznesmenë evropianë me ndikim, të cilët kanë ndihmuar Rusinë në të kaluarën. Kush e di, ata mund të vazhdojnë ta ndihmojnë atë edhe tani? Biznesi është biznes!"
“Nuk është rastësi që oligarkët rusë mbajnë një pjesë të madhe të aktiveve të tyre në bankat evropiane, thjesht sepse i mbajnë në euro, jo në rubla.”
"Dhe, sigurisht, ka edhe diçka tjetër - Evropa është e shqetësuar se kjo mund të ndikojë në një farë mënyre stabilitetin e euros, sepse gjëja e fundit që i duhet Evropës për momentin është një recesion tjetër", tha doc. Iskren Ivanov.
Ku është Bullgaria në këtë kazus?
I pyetur nëse mund të marrim pjesë në konfiskimin e fitimeve të aseteve të ngrira ruse, kryeministri i dorëhequr Nikollaj Denkov u përgjigj:
"Ajo që mungon në Bullgari për momentin është një ligj i miratuar që lejon ngrirjen e aseteve dhe menaxhimin në përputhje me rrethanat. Një projektligj i tillë është përgatitur nga "Bullgaria Demokratike", por nuk është marrë në shqyrtim, nuk është miratuar në Kuvendin Popullor."
“Nuk mendoj se mundemi, sepse Bullgaria nuk është ende anëtare e Eurozonës”, theksoi eksperti.
"Ne nuk paguajmë në euro. Përkundrazi, problemi i madh në Bullgari është ose ishte varësia energjetike nga Rusia - tani ajo është tejkaluar në masë të madhe. Kjo ishte më tepër sfida për të cilën Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni po ushtronin presion mbi ne. - Problemi i madh tani - ky është korrupsioni”.
"Një ligj i tillë mbi pasuritë mund të miratohet pasi të hyjmë në Eurozonë. Por korrupsioni në Bullgari është një problem serioz - nga ai përfitojnë pikërisht vende si Rusia."
Sipas ekspertit për sigurinë ndërkombëtare dhe menaxhimin e konflikteve, nga Këshilli i fundit Evropian u bë e qartë se:
“Prioriteti më i rëndësishëm nga të gjithë është e ardhmja e Ukrainës dhe mundësia që ajo të bëhet një vend anëtar i Bashkimit Evropian ose të paktën një shtet anëtar i asociuar në një formë, sepse nuk është sekret që Franca dhe Gjermania po planifikojnë reforma në Bashkim, që sipas të gjitha gjasave do ta ndajnë atë në disa rripa.”
“Ndoshta në Evropë, aktualisht po diskutohet që Ukraina të bëhet pjesë e këtyre brezave, në mënyrë që pas përfundimit të luftës në njëfarë forme, rimëkëmbja e saj të bëhet më e lehtë”, shpjegoi doc. Iskren Ivanov.
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: Irina Nedeva - BNR, EPA/BGNES, arkiv, Rojters
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Skulptura "Lindja e Krishtit prej rëre në Burgas", të cilën artistët britanikë Paul dhe Remy Hogarth po e skulpturojnë në qendër të Burgasit para syve të banorëve të qytetit, do të jetë gati për natën e Krishtlindjeve dhe do të qëndrojë atje deri më 7 janar..
Optimizëm i kujdesshëm për Sirinë - ky është pozicioni që ka mbizotëruar deri më tani në BE që nga rënia e regjimit të Bashar Asadit. Shumica e politikanëve në Komunitet janë të kujdesshëm ndaj grupit "Hajat Tahrir al-Sham" dhe udhëheqësit të tij Ahmed..
Plaku i Krishtlindjeve do të shpërndajë dhurata për kafshët në Kopshtin Zoologjik të Burgasit më 25 dhjetor. Planifikohet një turne festiv nëpër kopshtin zoologjik, si dhe një kuiz me dhurata për fëmijët, njofton Bashkia e Burgasit. Veprimtaria është..
Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes,..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë..