Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Byrek me djathë, dhallë dhe tarator - Shoshana dhe mëngjesorja e saj bullgare në Brazil

Shoshana Baruh
Foto: Arkiva personale

Casa Bulgara ose Shtëpia Bullgare zë një vend kryesor në guidat e kuzhinës në São Paulo - qyteti më i madh në Brazil me mbi 12 milionë banorë. Mëngjesorja ka gati gjysmë shekulli që ndodhet në të njëjtën adresë dhe është në pronësi të 75-vjeçares Shoshana Baruh, një grua hebreje me origjinë bullgare. Familja e saj u zhvendos pas Luftës së Dytë Botërore në Tel Aviv, dhe më vonë mbërriti në São Paulo. Në vitin 1975, nëna e Shoshanës hapi një dyqan për akullore, djathë bullgar, kos dhe dhallë, të cilët i përgatisin vetë. 

"Ne jemi hebrenj, por në shtëpi flisnim bullgarisht dhe hanim byrek për mëngjes ose darkë, kështu e quajmë ne, në Bullgari ju e quani banica. Dhe mysafirët tanë vazhdimisht pyesnin nënën: "Pse nuk shet byrek, është shumë i shijshëm?". Dhe ajo filloi ta ofronte në dyqan. Njerëzve u pëlqeu aq shumë sa dyqani u shndërrua në një mëngjesore për byrek dhe ushqime të tjera," thotë Shoshana Baruh për Radio Bullgarinë dhe shton:

"Byrekët e parë ishin vetëm me djathë ose me spinaq dhe djathë, si në Bullgari. Por këtu kemi një koloni hebrenjsh nga vende si Polonia, Rumania, Rusia dhe ata i duan shumë patatet. Kështu filluam të ofrojmë byrek me patate. Më pas me mish, patëllxhan dhe mbushje të tjera. Mami filloi të ofrojë edhe ëmbëlsirat bullgare me mollë, arra dhe kajsi. Shesim edhe djathë bullgar, dhallë dhe tarator, por në formë sallate (taratori i thatë) - thotë Shoshana.

Rezulton se vetëm familja e Shoshanës prodhon dhe shet djathë bullgar në këtë vend me miliona njerëz dhe Casa Bulgara është një lloj qendre kulturore kombëtare në zemër të metropolit të gjallëruar. Mëngjesorja është e zbukuruar me flamuj bullgarë, me kukulla me kostume tradicionale vendase dhe enë të vogla prej druri të mbushura me vaj trëndafili. Vizitorëve u bën përshtypje piktura e madhe mbi 100-vjeçare me motive tipike vendase. “Shumë duan ta blejnë, por unë nuk e jap”, shprehet kategorike Shoshana.

Casa Bulgara mban këtë emër si shenjë vlerësimi për Bullgarinë. “I jemi shumë mirënjohës bullgarëve, Car Borisit dhe Dimitër Peshevit dhe të gjithë atyre që na ndihmuan të mbijetojmë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, pa e fshehur dot emocionin Shoshana shton:

"50 mijë hebrenj bullgarë u shpëtuan! Bullgaria ishte i vetmi vend në Evropë që shpëtoi hebrenjtë e saj. Kjo është historia. Më vjen shumë keq që pothuajse askush nuk e di këtë! Dihet për Poloninë, për Rusinë, për Rumaninë, Hungarinë dhe nuk dihet që Bullgaria ndihmoi kaq shumë. Gjatë luftës të gjithë hebrenjtë duhej të mbanin një yll të madh të verdhë në një vend të dukshëm që të ishte e qartë se ishin hebrenj. Por bullgarët i vendosën një kopës yllit. Kam foto të nënës dhe me yllin e saj me kopës që mund të vihej dhe të hiqej, jo si në vendet e tjera ku ylli ishte i qepur në rrobat e tyre."
Shoshana dhe nëna dhe Lina Baruh, themeluesja e Casa Bulgara
Bullgaria lidhet me imazhin e një shpëtimtari në kujtesën familjare të Shoshanës. Por është edhe atdheu i largët i nënës së saj të ndjerë, e cila krijoi Shtëpinë Bullgare në zemër të Sao Paulos. Shoshana, jo vetëm që nuk e ka shkëputur lidhjen me atdheun e largët, por flet edhe një bullgarishte të mrekullueshme:

“Mami na çoi në Bullgari në vitin 2007 për ta njohur vendin, për të na treguar se ku jetonte në Sofje, ku lindi, ku u dëbuan, ku jetonte gjyshja jonë në Shumen. Ne na pëlqente gjithçka atje. Ishim e gjithë familja. Ndërsa në vitin 2017 ajo u kthye sërish atje, kësaj here me nipërit e vegjël, për t'u treguar rrënjët e tyre të largëta”, përfundon Shoshana Baruh.

Lexoni më tepër:

Foto: arkiva personale e Shoshana Baruh

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Darren Carter

Një ish-ushtarak britanik i thur rima Bullgarisë

Pasi i kushtoi 23 vite të jetës së tij Marinës Mbretërore, britaniku Darren Carter vendosi të tërhiqej në vitin 2013. Ai pranon se për vite me radhë ka lundruar pa qëllim nëpër “ujërat e trazuar të jetës” – nga puna në punë, nga vendi në vend. Derisa..

botuar më 24-10-13 10.05.PD

Një bullgar nga zona e Vracës mund të jetë njeriu më jetëgjatë në botë

Kodet e identitetit janë baza e gjenealogjisë - një shkencë që merret me prejardhjen e brezave, me origjinën njerëzore, me lidhjet farefisnore. Kodet e identitetit na dallojnë si njerëz - është i bindur për këtë asistenti kryesor Rosen Gacin nga..

botuar më 24-10-04 7.40.PD

Asgjë nuk është e pamundur në muzikë

Më 1 tetor, bota feston gjuhën universale të muzikës. Vështirë se dikush dyshon në aftësinë e këtij arti për të shëruar shpirtrat dhe për t'u dhënë krahë mendimeve, por sot do të shtojmë edhe një histori tjetër që e vërteton këtë - atë të bateristit të..

botuar më 24-10-01 7.30.PD