Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Denica Gruber dhe jeta e saj kushtuar ilustrimit në Gjermani

4
Foto: Facebook /Denica Gruber

Pothuajse çdo fëmijë ka dëshirën dhe aftësinë për të vizatuar. Sa i përket talentit, ndonjëherë duhen vite që ai të vihet re dhe të vlerësohet. Sidomos nëse ndodh që të rritesh në Bullgari në agimin e demokracisë. E tillë është historia e bashkatdhetares sonë Denica Gruber, prindërit e së cilës - gjithashtu njerëz të artit - restaurues dhe piktore, nuk gjetën një aplikim për talentet e tyre dhe një të ardhme për familjen në vendin tonë. Babai dhe vëllai i saj u nisën për në Gjermani në vitin 1990 dhe ajo dhe nëna e saj i ndoqën në vitin 1991. Familja u vendos në Bavari. Atje Denica vazhdon të pikturojë, duke e pasur këtë gjë si strehën e saj ku fshihej nga vetmia dhe vështirësia për të gjetur miq, sepse ende nuk e zotëronte mjaft mirë gjuhën gjermane. Kur ishte 16 vjeç, ajo fitoi një projekt kushtuar migracionit në Gjermani dhe talenti i saj u vu re nga shumë njerëz, pasi karikatura e saj u botua në gazetën lokale:

"Kam vizatuar një gjerman të mbajtur mirë me kravatë, një burokrat në praktikë, që qëndronte në kufi, i ngjante pak kancelarit të atëhershëm Helmut Kohl dhe përballë tij, në anën tjetër të kufirit, me ndërtesa të rrënuara dhe oxhaqe të pista, një familje me baba invalid dhe një fëmijë të vogël në krahët e nënës, të cilëve kancelari i thotë – "kthehuni mbrapa, tek ju ka demokraci" – kujton sot artistja.

Karikatura pasqyron plotësisht atë që ndjen bashkëkombësja jonë për Gjermaninë dhe legjislacionin në fuqi në atë kohë për refugjatët. Arsyeja është se, nëse respektohen rregullat, një numër i konsiderueshëm i këtyre personave duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës:

"Mbërritëm në Mynih, ku qëndruam në një hotel dhe një ose dy ditë më vonë shkuam në kampin e refugjatëve në qytet, ku u regjistruam si të tillë. Ne jetuam në këtë kamp për një kohë, ishte shumë e vështirë sepse ishte një lloj vendstrehimi - ne ishim me bullgarë të tjerë në një dhomë, por kishte edhe lloj-lloj kombësish. Gjithçka ishte shumë e vështirë, madje e gjithë familja e kujton këtë periudhë me trishtim, pasi nuk ishte mjedisi në të cilin e imagjinonim të ardhmen tonë në Gjermani".

Pasi mbaroi shkollën e mesme me profilin “Art”, Denica aplikoi për “Graphic Design” në një universitet në Mynih. Por ajo shpejt e kupton se kjo nuk është një punë për të dhe një mike e drejton atë drejt një shtëpi botuese:

"Ajo më rekomandoi të shkoja në shtëpinë e saj botuese, mora dosjen me gjithçka që kisha vizatuar në shtëpi, shkova atje dhe ua tregova, më thanë se mund të vizatoja dhe u pëlqente ajo që bëja, por nuk isha e pjekur dhe duhej të gjeja stilin tim - kujton Denica dhe shton: - Isha 19 vjeçe në atë kohë dhe kjo më motivoi të aplikoja për të vazhduar arsimin e lartë në dizajn komunikimi. Më pranuan dhe aty u njoha me profesorin tim të asociuar në ilustrim – një ilustrues profesionist i librave për fëmijë. Ai e pa menjëherë dëshirën time për të ilustruar, më prezantoi me shtëpitë botuese dhe pothuajse menjëherë fillova të punoja me librat e mi të parë dhe e dija që kjo ishte ajo që doja të bëja."

Pasi punoi për disa shtëpi botuese, Denica gjeti punën e saj aktuale. Përveç librave për fëmijë, shtëpia botuese ku ajo punon ofron në treg edhe puzzle, ku artiste prej disa kohësh është pikërisht bullgarja, ndërsa përgjegjësia e saj është e madhe, pasi nuk bëhet kompromis në lidhje me cilësinë e produkteve. Ajo gjithashtu arrin të mësojë shpejt hollësitë që dallojnë ilustrimin e librave për fëmijë nga krijimi i një fabule për puzzle:

"Ka një ndryshim sepse një puzzle shitet pa histori, domethënë historinë duhet ta shpik unë. Ata më japin temën - kafshë të lezetshme ose kafshë dhe automjete të ndryshme - dhe unë mendoj një histori për këtë puzzle. – Më anë të një fotografie duhet të tregoj se çfarë po ndodh në këtë situatë, natyrisht, nuk jam plotësisht vetëm dhe kam një redaktor me të cilin diskutojmë se si ta vizatojmë.

Sot Denica është e martuar e lumtur me një gjerman dhe ka dy fëmijë. Ajo nuk i harron kurrë fjalët që i kishin thënë dikur prindërit e saj – “meqë do të pikturosh, ktheje atë në profesionin tënd”. Dhe kush e di, së shpejti mund t'ia tregojë edhe vajzës së saj, e cila gjithashtu është e apasionuar pas vizatimit dhe ëndërron të ilustrojë libra një ditë.

Foto: Facebook/Denica Gruber
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello: Shqiptarët janë një popull tolerant dhe i vlerësojnë bullgarët

Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe në Shqipëri gjuha bullgare studiohet në mënyrë akademike. Lektorati jonë është pjesë e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe prej disa..

botuar më 24-07-09 7.30.PD
Doktori Stajko Stajkov

Dr. Stajko Stajkov hodhi themelet e klimatologjisë në Bullgari

Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, vendi ynë filloi të zhvillohet me ritme të shpejta për të kompensuar mungesën pesëshekullore nga harta historike e botës. Të rinjtë bullgarë diplomoheshin në universitete prestigjioze evropiane dhe ktheheshin..

botuar më 24-07-05 7.10.PD

Për jetën e mundshme në një botë pa monopole

Ndryshimet në Ligjin për Energjinë, të miratuara nga Kuvendi, shtynë fillimin e periudhës së tranzicionit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për një vit tjetër – deri në 1 korrik 2025. Ndryshimet duhet të ofrojnë një mundësi graduale për..

botuar më 24-06-26 7.30.PD