Rezultatet e referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në BE, si një qëllim strategjik për t'u shkruar në kushtetutën e vendit, përforcuan pikëpamjen pro-evropiane të vendit, edhe pse me një dallim shumë të vogël nga euroskeptikët. Mirëpo, pritet raundi idytë i zgjedhjeve presidenciale, në të cilin do të përballen kandidatja pro-evropiane Maja Sandu, e cila kryeson në raundin e parë, dhe Aleksandër Stojanoglo.
"Populli i Moldavisë zgjodhi shpresën, stabilitetin dhe perspektivat. Ata zgjodhën Evropën" - me këto fjalë iu drejtua eurodeputetëve para fillimit të takimit të tyre në Strasburg javën e kaluar kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola:
“Parlamenti Evropian dënon kategorikisht çdo ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Moldavisë dhe në referendumin kushtetues për integrimin në BE. Jemi krenarë që jemi një nga aleatët dhe mbështetësit më të fortë të Moldavisë. Ne e kuptojmë se e ardhmja e Moldavisë është në BE dhe ne e mbështesim plotësisht rrugën e saj drejt integrimit të saj.”
Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm dënoi sulmet hibride të Rusisë. Zëdhënësi Peter Stano:
“Ne vumë re se votimi në Moldavi u zhvillua mes ndërhyrjeve dhe frikësimeve të paprecedentë nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj. Arsyeja se pse ato mund të duken të suksesshme ndonjëherë është sepse nuk kanë kufij. Ne, Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë, çfarëdo që të bëjmë, ndjekim disa parime, duke përfshirë dhe ligjet. Por, Rusia dhe përfaqësuesit e saj nuk pajtohen. Ata operojnë në një mjedis më të lirë se ne. Ne duhet të ndjekim disa rregulla. Ata - jo.”
Nëse rezultatet e referendumit, të cilat janë në prag në favor të integrimit evropian të Moldavisë, nuk e vënë në prag të ardhmen e saj evropiane është pyetja jonë e parë ndaj Amanda Paul, analiste e lartë e politikave në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel:
“Vërtet, fitorja ishte shumë e kontestuar, por duhet të shohim arsyen e saj. Ne kemi parë ndërhyrje jashtëzakonisht të madhe ruse në këtë fushatë në mënyra të ndryshme, duke përfshirë dhe blerjen e votës. Kjo sigurisht ndikoi në rezultat. Megjithatë, fitorja u arrit - anëtarësimi në BE është i përfshirë në kushtetutën e Moldavisë. Natyrisht, ne nuk e dimë se cilat janë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, sepse do të ketë një raund të dytë. Është e qartë se shumica e njerëzve mbështesin integrimin evropian, por problemi i madh me të cilin përballet Moldavia është dezinformimi - përpjekjet e vazhdueshme të Federatës Ruse për të përhapur gënjeshtra.”
Ky është njëri problem, i dyti është se ne nuk e dimë se për kë do të votojnë kandidatët e tjerë...
“Rreziku kryesor është se këto sulme hibride mund të ndikojnë në raundin e dytë. Në të njëjtën kohë, po shohim shumë veprime pozitive për përballimin e tyre. Për shembull, shumica e platformave, duke përfshirë dhe Telegram janë shumë të angazhuar në heqjen e përmbajtjeve false. Moldavia disponon shumë mjete për të luftuar dezinformimin, por nuk është e lehtë. Është e vështirë të parashikohet se si do të votojnë votuesit, por në fund të fundit, nëse duan një të ardhme më të mirë financiare dhe më të drejtë, kjo mund të arrihet duke mbështetur anëtarësimin në BE. Moldavia jetoi nën hijen e BRSS dhe Federatës Ruse për shumë vite. Rusia nuk i jep asgjë Moldavisë. Ajo thjesht do që Moldavia të jetë në sferën e saj të influencës, sepse kjo do të ishte në dobi të saj dhe jo të qytetarëve moldavianë.”
Problemi është se shumë njerëz në Moldavi e shohin arsyen e standardit të tyre të ulët pikërisht në BE dhe jo në Rusi...
“Ata duhet të shikojnë standardin në vetë Rusinë. Jashtë Moskës, madje edhe në disa pjesë të Moskës, standardi i jetesës nuk është i mirë. Nëse vizitoni disa rajone, veçanërisht ato më të largëta, do të zbuloni se gjërat janë shumë të errëta atje. Nuk mendoj se Rusia është një shembull i mirë i një standardi apo se si duhet të drejtohet një vend. Aty nuk ka shtet ligjor, nuk ka liri përkatëse. Unë mendoj se moldavianët në të gjithë spektrin politik do të dëshironin të jetonin në një vend të lirë ku ka sundim të ligjit dhe ku ata mund të shprehen lirisht. Tani votimi ishte i lirë pavarësisht ndërhyrjes ruse. Problemet në këto zgjedhje nuk erdhën nga qeveria moldaviane, por nga faktorë të jashtëm. Pra, nëse doni një cilësi më të mirë të jetës, liri dhe vlera dhe prisni që Rusia t'ju japë ato, atëherë jeni duke kërkuar në drejtimin e gabuar.”
A mund të jepni narrativat kryesore të dezinformatave që vijnë nga Rusia drejt Moldavisë?
“Nuk bëhet fjalë vetëm për një pistë - Rusia ka një valixhe të tërë hibride. Sulmet hibride bëhen duke blerë vota, nëpërmjet dezinformatave dhe gënjeshtrave se çfarë do të ndodhë me qytetarët moldavianë nëse anëtarësohen në BE dhe se si jeta e tyre do të ndryshojë për keq. Për shembull, përdoret edhe çështja e vlerave evropiane - thuhet se pija e njohur e Krishtlindjeve e moldavianëve, e cila bëhet nga fruta të vogla specifike, do të ndalohet.”
A shihni një mundësi për veprim ndaj oligarkut Ilan Shor, i cili ndihmon shumë për të blerë vota në favor të Rusisë?
“Kjo varet nga mënyrat se si përhapet ky dezinformim. Nëse është përmes mediave sociale, platformat përkatëse duhet të heqin ato bote ose profilet e njerëzve që paguhen për ta përhapur atë. Gjithashtu, aty duhet të jepen informacione më të besueshme.”
A mund të presim përpjekje për separatizëm? Sipas parimit të Transnistrias, dhe rajoni autonom i Gagauzisë është pro-rus.
“Transnistria është gjithsesi një rajon i shkëputur. Nuk pres ndonjë ndryshim të madh atje për momentin. Por në të, popullsia nuk është homogjene, kështu që jo të gjithë mund të përkufizohen si pro-rusë. Kujtojmë se Transnistria përfiton nga marrëveshja gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë, siç ka edhe me Moldavinë. Gagauzia është një dhimbje koke më e madhe për udhëheqjen moldaviane sepse liderja e saj është shumë pro-ruse - ajo është nga turqit rusishtfolës. Megjithatë, ky rajon është bombarduar me narrativa, mendime dhe dezinformata pro-ruse dhe kjo nuk do të zgjidhet në të ardhmen e afërt. E gjithë kjo është për shkak të qasjes perandorake ruse ndaj këtyre territoreve. Ajo që po bën Rusia nuk është për të mirën e Transnistrisë, Gagauzisë dhe të gjithë moldavianëve - ajo po ndjek një politikë të forcimit të vetvetes. Duke i mbajtur ata të dobët, ajo thjesht nuk mund ta kuptojë se nuk është më një fuqi perandorake. Vendet e pavarura kanë të drejtë të marrin vendime për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve dhe nipërve të tyre. Kremlini, megjithatë, nuk mund ta pranonte këtë dhe për këtë arsye filloi një pushtim të plotë të Ukrainës. Rusia as që e njeh Ukrainën si shtet. Pra, politika ruse në asnjë mënyrë nuk është në favor të popullit të Moldavisë. Në një botë ideale, moldavianët duhet të kenë lidhje ekonomike dhe tregtare si me Rusinë, ashtu edhe me BE-në dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë. Janë rusët ata që e bëjnë këtë të pamundur dhe e ndalojnë.”
Si ndikon në rrugën e anëtarësimitеvropian të Moldavisë fakti që ajo kufizohet me Ukrainën, ku ka luftë,?
“Rruga e Moldavisë drejt BE-së ishte shumë më e vështirë para luftës në Ukrainë sesa pas. Në atë kohë, BE-ja nuk ishte e interesuar për anëtarësimin e saj, madje as për atë të Ukrainës. Invazioni i plotë i Rusisë e vuri përsëri në rendin e ditës zgjerimin dhe e bëri BE-në të kuptojë se një rajon kaq i paqëndrueshëm, me të ashtuquajturat "zona gri" minon sigurinë dhe stabilitetin e saj. Pra, Moldavia nuk do të kishte hapur kapitujt e negociatave nëse nuk do të kishte filluar lufta. Është prekur shumë rëndë prej saj - siç e përmendët, është fqinj i Ukrainës, është prekur nga raketat ruse, nga Transnistria i është ndërprerë energjia elektrike, nga Rusia i është ndërprerë gazi. Të gjithë këta janë faktorë negativë, por e kanë bërë Moldavinë më të zhdërvjelltë dhe e kanë afruar edhe më shumë lidershipin e saj me liderët evropianë. Moldavia i ka kapërcyer këto sfida të mëdha. Pranimi i Ukrainës dhe Moldavisë në BE është gjithashtu një proces i natyrshëm për forcimin e sigurisë evropiane.”
A mund të presim veprime të fuqishme nga Rusia nëse Moldavia forcon perspektivën e saj evropiane?
“Sinqerisht, unë mendoj se ajo ka forcuar rrugën e saj evropiane - ajo tashmë ka aplikuar për anëtarësim dhe ka filluar negociatat në qershor. Ky është një fakt dhe është për shkak të Rusisë. Për momentin, ajo gjithashtu po përshpejton anëtarësimin e saj në BE. Natyrisht, rusët do të bëjnë gjithçka që munden për të ndryshuar trendin, por nëse nuk ka një katastrofë të madhe për ta kthyer atë, trendi do të mbetet. Dhe ky është drejtimi i duhura, sepse Moldavia është një vend evropian - i pavarur dhe demokratik, dhe popullsia e saj zgjodhi të anëtarësohej në BE.”
Por a nuk mund të presim veprime nga Rusia në drejtim të kundërt?
“Rusia do të bëjë atë që mundet dhe do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme. Moldavia duhet të përgatitet për më të keqen dhe mendoj se qeveria në Kishinau është plotësisht e vetëdijshme për këtë.”
Cili do të ishte reagimi i BE-së atëherë, duke qenë se ai është tashmë shumë i angazhuar me Ukrainën?
“BE-ja i ka dhënë shumë mbështetje Moldavisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe pasojat e saj. Kjo ndikoi në sigurinë dhe ekonominë e saj, sërish falë rusëve. Bashkimi Evropian është i përkushtuar për përparimin e Moldavisë në rrugën e saj drejt tij. Sigurisht, kjo varet nga mënyra se si Moldavia do të bëjë reformat e nevojshme për të hapur dhe mbyllur kapitujt e negociatave, por Bashkimi duhet të vazhdojë mbështetjen e tij në këtë drejtim. Sigurisht që edhe Ballkani Perëndimor ka një perspektivë evropiane dhe BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim të mëtejshëm, që do të thotë më shumë reforma të brendshme. Por në lidhje me Rusinë, BE-ja ka nxjerrë disa mësime shumë të vështira - si për shkak të asaj që ajo u ka bërë fqinjëve të saj - Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, por edhe për shkak të disa veprimeve të tmerrshme brenda vetë BE-së, si vrasjet dhe helmimet. Bashkimi tani e kupton më shumë se kurrë se çfarë është Kremlini dhe si funksionon ai, gjer ku është i gatshëm të shkojë dhe çfarë duhet të bëjë BE-ja për të luftuar. Kjo gjithashtu kërkon që Bashkimi Evropian të vazhdojë të forcojë mekanizmat të vet për të luftuar më mirë dezinformimin, për të qenë më i pavarur në siguri dhe mbrojtje.”
Së shpejti do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Nëse Trump fiton, a nuk do të ndryshojë kjo edhe qëndrimin ndaj Moldavisë?
“Nëse Trump fiton, do të ishte një lajm i keq në përgjithësi. Për sigurinë evropiane, sepse BE-ja nuk është aspak e përgatitur për presidencën e Trump, për Ukrainën, sepse Evropa aktualisht nuk është e përgatitur t'i japë asaj mbështetjen që i nevojitet. Por në fund të fundit, nuk mendoj se kjo do të ndryshojë shumë rrugën drejt anëtarësimit të këtyre vendeve. Moldavia nuk është në fokusin e Shteteve të Bashkuara për ndihmën ushtarake, ndryshe nga Ukraina. Ajo thjesht duhet të bëjë reformat e nevojshme, të vazhdojë të forcojë qëndrueshmërinë e saj - dhe të angazhohet me sa më shumë partnerë të jashtëm që të jetë e mundur. Kjo do ta ndihmojë atë të bëhet një vend më i fortë dhe më i zhdërvjelltë sa i përket politikës, ekonomisë dhe sigurisë, kështu qe të mund të përballet me kërcënimin rus dhe të ndërmarrë veprime për të bashkuar vendin në mënyrë që njerëzit të shpëtojnë nga këto ndarje që ekzistojnë brenda tij. Ky është një problem i brendshëm shumë serioz dhe nuk do të zgjidhet lehtë.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: EPA/BGNES, Angelina Piskova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..