Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pjesa e dytë:

Bullgaria dhe fqinjët e saj ballkanikë në vitin 2024: Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut

Foto: arkiv

Vendimi për anëtarësimin e plotë të Bullgarisë në zonën Shengen nga fillimi i vitit 2025 është një ngjarje historike si për vendin, ashtu edhe për marrëdhëniet me vendet fqinje të BE-së - Rumania dhe Greqia. Cila është ngjarja përcaktuese në marrëdhëniet dypalëshe rajonale të Bullgarisë me fqinjët e saj jashtë kufijve të komunitetit - Turqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut? Radio Bullgaria kërkoi opinionin e ekspertëve, të cilin ju ofrojmë në pjesën e dytë të pasqyrës ballkanike 2024:

Bullgaria dhe Turqia - Vizita e ministrit të jashtëm turk në Sofje tregoi se Ankaraja po monitoron proceset në DPS dhe hodhi themelet për marrëveshjet për çminimin e Detit të Zi dhe për një Air Policing të përbashkët

Sipas Mehmed Yumer - botues i faqeve të internetit obzornews.bg dhe bakis.bg - do të ishte më e lehtë për të përmbledhur vitin në marrëdhëniet bullgaro-turke nëse do të ishte viti 2025, kur do të bëhen 100 vjet nga nënshkrimi i Traktatit të Angorës*. Si një ngjarje kryesore për vitin 2024, ai vë në dukje vizitën e ministrit të jashtëm Hakan Fidan në fillim të vitit në Sofje me ftesë të ministres së jashtme Maria Gabriel:

Mehmed Yumer

"Ministri i jashtëm turk ka zërë postin e shefit të inteligjencës. Pse e përmend? Së pari, sepse është fakt, por së dyti, ai erdhi këtu dhe takimi i tij i parë u zhvillua në ambasadën turke me liderin e dorëhequr të DPS-së Mustafa Karadajë**. A ishte ky një sinjal për Bullgarinë?

Në një vend që është pasardhës i një ish-perandorie, a nuk dihen lëvizjet, sjelljet, marifetet diplomatike? Unë jam larg të menduarit se zoti Fidan nuk e ka zotëruar mjaftueshëm diplomacinë. Me sa duket ky ishte një shenjë”, kujton vëzhguesi. Ai thekson se momenti i dytë i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe në vitin 2024 është marrëveshja e nënshkruar në Ankara midis Rumanisë, Turqisë dhe Bullgarisë për çminimin e Detit të Zi.

Ministrat e jashtëm turk dhe bullgar Hakan Fidan dhe Maria Gabriel në një konferencë shtypi në Sofje, 30 janar 2024

“Në frymën e partneritetit, gjatë vizitës së Hakan Fidanit në fillim të këtij viti, për mendimin tim, ishte edhe memorandumi që ministri i mbrojtjes Todor Tagarev më vonë nënshkroi në Ankara - memorandumi për air policing, e ashtuquajtura mbrojtje ndërkufitare e hapësirës ajrore. 


Në media atëherë u shfaqën interpretime të ndryshme: "A do të mbrojë qiejt tanë Turqia? Sipas meje, titulli më i saktë në këtë rast është se qielli i Bullgarisë dhe Turqisë është qielli i NATO-s, dhe ne jemi aleatë". U shkrua shumë se ku “koordinohet, cilat janë qendrash komanduese, , por kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që gjatë vizitës së ministrit Fidan dhe ministres sonë të jashtme në atë kohë, Maria Gabriel, ata përgatitën bazën për këtë memorandum në frymën e partneritetit dypalësh”, thekson Mehmed Ymer.

Bullgaria dhe Serbia - ndjekin gjeopolitikën e kundërt të transportit në Maqedoninë e Veriut

"Unë do të sugjeroja që të braktisim këtë rishikim të kontakteve zyrtare, ngjarjeve zyrtare, festimeve zyrtare, ose mosmarrëveshjeve zyrtare dhe të kërkojmë atë që është prapa skenave," komentoi dr. Biser Bançev nga Instituti i Studimeve Ballkanike të Akademisë Bullgare të Shkencave.

Biser Bançev

“Për mua ngjarja më e rëndësishme, apo procesi më i rëndësishëm për vitin 2024, është suksesi i arritur nga shteti serb në bllokimin e ndërtimit të Korridorit Nr.8***. Tani formalisht do të pyesni a është lidhur Korridori Nr.8 me marrëdhëniet mes Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë? Po, sigurisht, dhe në fakt ka një lidhje direkte. Lidhja e parë direkte është se Korridori Nr. 8 konsiderohet nga shteti serb si një konkurrent i drejtpërdrejtë i Korridorit Nr. 10****.

Ministri maqedonas i transportit e ka deklaruar disa herë për ata që nuk kuptojnë. Por më e rëndësishmja është se të njëjtën gjë e ka thënë edhe ministri serb i ndërtimit, Goran Vesiq. Ai deklaroi drejtpërdrejt si meritën e tij më të madhe këtë vit bllokimin e përpjekjeve bullgare për të intensifikuar punën në korridorin nr.8. 

Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiq

Këtu është kurioze të theksohet se Goran Vesiq aktualisht është në arrest për faktin se duhet të marrë përgjegjësinë për skandalin jashtëzakonisht të madh, me dështimin e riparimit të stacionit në Novi Sad, që shkaktoi vdekjen e 15 personave – ky është një skandal i madh korrupsioni”, thotë studiuesi nga Instituti i Studimeve Ballkanike të Akademisë Bullgare të Shkencave.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut – viti 2024 ekspozoi modelin serb të maqedonizmit

Shpjegimi më i shkurtër i gjithçkaje që ndodh në 2024 në Maqedoninë e Veriut është ekspozimi i modelit serb të maqedonizmit, komentoi për Radio Bullgarinë Ljubço Neshkov, gazetar dhe pronar i agjencisë BGNES.

Ljubço Neshkov

"Çdo ditë jemi dëshmitarë të një agresioni të vrazhdë, të pahijshëm kundër Bullgarisë. Siç e kujtojmë mes dy luftërave botërore 1919-1941, kur Maqedonia nuk ekzistonte as si emër dhe quhej Banovina e Jugut. Atëherë modeli kryesor, kuptimi i ekzistencës së Banovinës së Jugut, ishte përndjekja e bullgarëve dhe mbjellja e urrejtjes kundër Bullgarisë.

E shohim pikërisht këtë. Unë do të thosha diçka më shumë, kjo është një fazë e re në variantin serb të maqedonizmit, kur ai tashmë është shkëputur nga ai maqedonizëm pas vitit 1945, si diçka autentike lokale etj., d.m.th., ne kaluam në fazën e mbështetjes së hapur për “Botën Serbe”, bashkimin e hapur me Serbinë, mbështetjen politike. Për më tepër, këto ditë ishim dëshmitarë se si kryeministri Hristian Mickovski e mbrojti Serbinë nga vetoja bullgare për hapjen e Klasterit numër 3 (në negociatat për anëtarësimin në BE). Me një fjalë, ne tashmë po shohim një bashkim me këtë "botë serbe", që tridhjetë vjet më parë quhej “Serbia e Madhe”, tha gazetari për Radio Bullgarinë.

Pavarësisht rreziqeve të ndonjë parashikimi në Ballkan, ne e pyetëm bashkëbiseduesin tonë nëse në vitin 2025 bullgarët do të përfshihen në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut?

Mbishkrimi Bullgarët në Kushtetutë në qendër të Shkupit

"Nëse Maqedonia e Veriut bëhet vërtet e pavarur, kjo nuk është çështja më e tmerrshme, më e vështira, që duhet zgjidhur. Vetë përfshirja e bullgarëve në kushtetutë është një për qind e problemeve me të cilat përballet Maqedonia e Veriut. Le të lëmë mënjanë çështjen e bullgarëve. Ky është një vend ku mungon respektimi i legjislacionit.

Ai është bërë një model sesi ish-sundimtarët fshihen në bagazhe dhe gjejnë strehë jashtë vendit. Nuk është vetëm Nikolla Gruevski (ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, i fshehur nga drejtësia maqedonase në Hungari - shënimi i autorit). Këto ditë mësuam se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili konsiderohej sundimtari absolut në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit nën sundimin e Zoran Zaev dhe Dimitër Kovaçevskit, është arratisur sërish me veturë diplomatike, këtë herë në Kosovë. Secili prej nesh është dëshmitar i një vendi të pushtuar që zbaton projekte të huaja, gjeopolitike dhe të rënda antievropiane”, përmbledh Ljubço Neshkov.

------

* Traktati i Angorës është një marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi midis Bullgarisë dhe Turqisë, e nënshkruar në vitin 1925 në Ankara, që atëherë quhej Angora. Për dekada me radhë, ajo mbeti baza e marrëdhënieve të qëndrueshme dypalëshe të Bullgarisë me Republikën e Turqisë të krijuar në vitin 1923 nga Mustafa Kemal Ataturk.

** Në Ambasadën Turke në Sofje, para fillimit të vizitës së tij zyrtare, Hakan Fidan u takua veçmas me liderin e dorëhequr të DPS-së Mustafa Karadajë, me Deljan Peevski dhe me Xhevdet Çakër, për t'u informuar personalisht prej tyre për proceset dhe ndarjen në rritje në DPS.

*** Korridori i Transportit Pan-Europian Nr. 8 është një nga dhjetë korridoret pan-europiane të Transportit dhe lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Së bashku me korridoret nr.4, nr.7 dhe nr.9 është një nga gjithsej katër që kalojnë nëpër territorin e Bullgarisë.

**** Korridori Pan-Evropian i Transportit Nr. 10 u krijua në 1997 në Helsinki në Konferencën e Ministrave të Transportit në Evropë. Rruga e transportit multimodal shkon nga veriperëndimi në juglindje dhe lidh Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Hungarinë me Greqinë dhe Bullgarinë. Korridori përfshin rreth 2528 km linja hekurudhore, 2300 km autostrada, 12 aeroporte dhe 4 porte detare dhe lumore.

Foto: BGNES, AP/BTA, BNR, mfa.bg
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Viti politik 2024 dhe pritshmëria se Bullgaria do të punojë për qëllime të reja pas hyrjes në Shengen

Përmbledhja e ngjarjeve të një viti të tërë në pak rreshta është padyshim një sfidë, veçanërisht nëse bëjmë një përmbledhje politike. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat edhe këtë vit janë bërë traditë në vendin tonë, ishin një rast që..

botuar më 25-01-02 7.10.PD

Bullgaria dhe fqinjët e saj ballkanikë gjatë vitit 2024: Greqi dhe Rumani

Nga distanca e kohës, historia dhe studiuesit do të japin vlerësimin e tyre për Bullgarinë dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët në çerekun e parë të shekullit të 21-të. Por ata do të shkelin mbi faktet dhe perceptimet e bashkëkohësve për to. Para se viti i..

botuar më 24-12-28 9.05.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shqipëria dhe Mali i Zi realizuan progres në integrimin evropian gjatë vitit 2024 Udhëheqësit e BE-së u takuan më 18 dhjetor me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje..

botuar më 24-12-21 9.50.PD