Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Elena Doskova – Ricardi shkruan emrin e saj në histori si bullgarja e parë që këndoi në La Scala

Peritoniti akut i jep fund karrierës së saj të shkëlqyer dhe më vonë autoritetet komuniste në vendin tonë e dërgojnë në një kamp përqendrimi

Elena Doskova-Ricardi
Foto: Arkivа Shtetërorе - Gabrovo

Elena Doskova – Ricardi magjepsi kryedirigjentin e La Scala, Arturo Toscanini me zërin e saj prej sopranoje aq sa magjik, po aq edhe dramatik, temperamentin e zjarrtë dhe tonin e pastër, që e kthyen atë në një këngëtare operistike të klasit të parë. Nën drejtimin e tij në vitin 1929, bullgarja debutoi në skenën botërore të operës në rolin e Liut nga "Turandot" i Giacomo Puccini.

"Kam lindur në Sofje në vitin 1898 dhe kam marrë pjesë nëpër koncerte si këngëtare që në fëmijëri. Prandaj pranimi im në shkollën e muzikës më dukej krejt i natyrshëm. Fillova me Ivan Vulpe, i cili me durim më zgjeroi horizontet. Në vitin 1920 ishim gati të diplomoheshim dhe po përgatisnim një koncert të madh me shumë të ftuar, mes të cilëve edhe Aleksandër Stambolijski (kryeministri i vendit në atë kohë). Ai u mahnit nga interpretimi im dhe tha se donte të fliste me prindërit e mi. Atyre u shpjegoi se "mund të më organizonte një bursë studimi për të më çuar jashtë shtetit dhe duke qeshur, më vuri kusht që më pas të kthehesha në Bullgari. Falë tij unë shkova në Itali".

Ky tregim i Elena Doskovës është ruajtur në librin “Mbi hirin e artë unë ecja” të Marija Semerxhievës. Në Romë dhe Milano, ylli i ardhshëm i operës gjeti mësues të shquar si Alfredo Martini dhe Giuseppe Fatua, ndërsa në një nga takimet e organizuara nga kompania muzikore Palagi për aktorët e rinj, fati e takoi atë me të madhin Giacomo Puccini.

“Ai personalisht më shoqëroi, ishte jashtëzakonisht i sjellshëm dhe i kujdesshëm”, kujton Magdalena Gigova në rubrikën "Adresat e dashurisë" të programit “Radio Sofia” të Radios Kombëtare Bullgare, “Më tha se po nisej për në Paris, por kur të kthehej, unë do të isha nën mbrojtjen e tij. Për mua, bullgaren e panjohur, ishte shumë inkurajuese - një vlerësim dhe një premtim bashkëpunimi nga gjeniu Puccini. Unë besova në fuqinë time dhe fillova të punoja më shumë, më dukej sikur më kishte dhënë krahë. Maestroja më pëlqeu shumë për premierën e "Butterfly" në La Scala, po prisja me padurim kthimin e tij, por në një mëngjes të ftohtë nëntori, djemtë që shpërndanin gazetat filluan të bërtisnin me zë të lartë nëpër rrugët e Milanos – La morte di Puccini! Е’ morto il Maestro Puccini! (Vdiq mjeshtri Puccini).

Në vitin 1924, në teatrin e Romës "Eliseo", ajo luajti rolin e Santuzza-s në  "Cavalleria rusticana" të Pietro Mascagni. Kjo u pasua me paraqitjet skenike në qytetin Trani, ku ajo ishte Maddalena në "Andréa Chénier" të Umberto Giordano dhe në Teatrin Napolitan "San Carlo" si Mimi në "La Bohème" dhe Cio-Cio-San në "Madama Butterfly" të Giacomo Puccini. Në La Scala, përveç "Turandot", ajo interpretoi në "Cavalleria rusticana" dhe "La Bohème" në partneritet me tenorët e mëdhenj Aureliano Pertile, Beniamino Gigli dhe Giovanni Manurita.

Fatkeqësisht, jo shumë kohë më pas, ajo u godit nga fatkeqësia më e madhe, e cila e largoi përgjithmonë nga jeta magjepsëse e yjeve të operës.

“Para përfundimit të operës (premiera e “André Chénier” në Xhenoa). Elena Doskova – Ricardi papritmas filloi të kishte dhimbje të forta stomaku – thotë Magdalena Gigova. – Me përpjekje të pabesueshme arrin të përfundojë performancën e saj, sepse është profesioniste dhe pas mbylljes së perdes së fundit, ajo bie në dysheme. Pak më vonë ndodhet në sallën e operacionit dhe diagnoza është peritonit akut – diçka që nuk mund të shtyhet për më vonë. Fatkeqësisht, operacioni u krye në mënyrë joprofesionale dhe më pas ajo pësoi një hernie umbilikale, e cila, sipas shkencës kirurgjikale të asaj kohe, nuk ishte e përshtatshme për një operacion të dytë dhe ajo nuk do të mund të këndonte më”.

Një nga kujtimet që ajo ruan deri në fund të ditëve të saj lidhet me Arturo Toscaninin.

Ndërkohë që Elena Doskova ishte në kulmin e famës së saj, admiruesi i operës dhe vizitori i shpeshtë i La Scala, Francesco Ricardi, ia rëmbeu zemrën. Jo shumë kohë më pas, ajo mori mbiemrin e tij dhe kur erdhi fundi dramatik i karrierës së saj, ai e shoqëroi në Bullgari. Tregtari dhe ish-këngëtarja jetuan në lagjen "Knjazhevo", të kryeqytetit, rrëzë malit Vitosha. Disa vite më vonë, në Itali u shpall një amnisti për kundërshtarët e Musolinit dhe ish-armiku i regjimit u kthye në atdheun e tij, duke gjetur vdekjen në një aksident misterioz një muaj më vonë.

Goditjet fatale vijojnë njëra pas tjetrës - pamundësia për të kënduar, humbja e dashurisë së saj të madhe duket se janë të pamjaftueshme për Elena Doskova – Ricardi. Kështu, pas grushtit të shtetit komunist në 1944, qeveria e re nuk i kurseu asgjë në metodat e saj për t'u përballur me, siç i quajnte, armiqtë politikë.

“Goditja e tretë erdhi pas 9 shtatorit, kur autoritetet në emër të shtetit konfiskuan të gjitha pronat që kishin blerë me paratë që fituan nga opera, me përjashtim të shtëpisë në Knjazhevo”, shton Magdalena Gigova. Një fatkeqësi e re u shfaq - ajo kurrë nuk ka qenë e angazhuar në politikë, por u dërgua në një kamp përqendrimi. Disa muaj më vonë ajo u lirua, por tmerri dhe poshtërimi mbetën në mendjen e saj për një kohë shumë të gjatë. Të gjithë kësaj i shtohet edhe mungesa e fondeve, sepse nuk kishte as rrogë, as pension”.

Ajo i përkushtohet mësimdhënies dhe mbetet një zonjë elegante deri në momentin e fundit të jetës, duke mos i munguar doza artistike. “Ajo ka pasur studentë të shumtë, falte njohuritë e saj pa kushte dhe ata me të vërtetë bënin një karrierë të mrekullueshme opere”, thotë Magdalena Gigova. Në moshën 88-vjeçare ajo u nda nga jeta – deri në momentin e fundit e rrethuar nga portretet e këngëtarëve të mëdhenj të operës në shtëpinë e saj, me të cilët pati privilegjin të ndante një skenë.

Teksti: Diana Cankova (U përdor materiali nga Magdalena Gigova, i transmetuar në Radio Sofia të Radios Kombëtare Bullgare)
Foto: Arkiva Shtetërore - Gabrovo, arkiva

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Asgjë nuk është e pamundur në muzikë

Më 1 tetor, bota feston gjuhën universale të muzikës. Vështirë se dikush dyshon në aftësinë e këtij arti për të shëruar shpirtrat dhe për t'u dhënë krahë mendimeve, por sot do të shtojmë edhe një histori tjetër që e vërteton këtë - atë të bateristit të..

botuar më 24-10-01 7.30.PD

Kur shkruaj tekste të ashpra publike, është pikërisht sepse e dua Bullgarinë dhe besoj në potencialin e bullgarëve

Kanë kaluar 116 vjet që nga 22 shtatori i vitit 1908, kur Bullgaria zuri vendin e saj të barabartë midis vendeve të tjera të pavarura të Evropës në atë kohë. Ndonëse, ndryshe nga Bashkimi, shpallja e Pavarësisë ishte një akt tërësisht politik, kjo nuk e..

botuar më 24-09-22 8.30.PD
Jaap van Beelen

Jaap van Beelen dhe koleksioni i tij unik i qilimave të vjetër bullgarë

Ai thotë se ka kohë që nuk ndihet i huaj në Bullgari. Kjo është shtëpia e tij, ai e di bullgarishten dhe, si shumica e bashkatdhetarëve tanë, është i emocionuar për situatën politike në vend. Por pasioni i tij më i madh, ajo që i mbush ditët me dritë..

botuar më 24-09-15 10.45.PD