Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dita e Llazarit nuk mund të kalojë pa ritualin “llazaruvane” – simbol i "lulëzimit" të vajzave

Në besimet popullore, kjo ditë është gjithashtu festë e arave, kullotave dhe pyjeve, kujton etnologja Marija Bojanova

Foto: Facebook/ Muzeu Etnografik Rajonal Etër

Dita e Llazarit festohet nga bullgarët ortodoksë të shtunën para Ditës së Dafinave (Cvetnica). Rituali kryesor quhet llazaruvane – një zakon i llojit dashuror dhe martesor. Në të marrin pjesë vajza mbi 16 vjeç, të quajtura llazarki. Ato shëtisin nëpër fusha dhe shtëpi, këndojnë dhe vallëzojnë këngë për dashurinë dhe martesën, për pjellori, shëndet dhe mbarësi familjare.
Herët në mëngjes në Ditën e Llazarit, vajzat mblidhen në grupe, të quajtura “çeta”, secila me jo më pak se 10 vajza, dhe nisen për të shëtitur nëpër fshat.

Një ritual interesant është pritja e vajzave llazarki nga zonja e shtëpisë. Ajo mban me vete një sitë me grurë, merr një grusht me kokrra gruri dhe i hedh mbi vajzat. Ato ngrenë përparset e veshjeve të tyre për të mbledhur sa më shumë grurë. Më pas e çojnë në shtëpi dhe e ruajnë në hambar bashkë me grurin tjetër.

Llazarket këndojnë këngë për çdo anëtar të familjes. Këndohen këngë për të zonjën e shtëpisë, për vajzën dhe djalin beqar, për martesë, për fëmijën e vogël dhe për nusen e re.

Dita e Llazarit është festa e vajzave, e cila për nga ngjashmëria ngjan me koleduvane tek djemtë, pasi, ashtu si festimi i Krishtlindjes, rituali llazaruvane te vajzat përfaqëson një ritual kalimi. Pra, është kalimi nga fëmijëria në moshën për martesë – shpjegon etnologja Marija Bojanova nga Instituti i Etnologjisë dhe Folklorit me Muzeun Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (BAN).

"Në praktikë, një vajzë nuk mund të jetë gati për martesë, para se të ketë bërë ritualin llazaruvane. Kjo do të thotë që, pasi vajza të ketë qenë tashmë llazarka, ajo mund të zbukurojë flokët me kurora dhe lule, mund të mbajë bizhuteri, të veshë këmishë të qëndisur dhe tashmë mund të dashurohet me një djalë të ri, me të cilin mund të martohet në të ardhmen. Llazaruvane është rituali pa të cilin nuk ka kuptim Dita e Llazarit. Ky zakon është i përhapur në të gjitha tokat bullgare që nga periudha tradicionale. Në ditët e sotme ka pësuar ndryshime të mëdha, pasi gjatë periudhës së socializmit organizohej nga shkollat, ku vajzat, por edhe djemtë, shëtisnin nëpër shtëpi për të kënduar këngë për shëndet dhe mbarësi. Sot, vërehet një organizim i ngjashëm i festës, i lidhur me iniciativën e bibliotekave ose shkollave. Ato organizojnë fëmijët që të mësojnë këngët për Ditën e Llazarit, por festa ka humbur kuptimin e saj – si një ritual kalimi nga fëmijëria në moshën e rritur të vajzave. Diçka tjetër që vërejmë është se sot, çdo vit vajzat bëhen llazarki, sa herë që dikush i organizon. Ndërsa në traditën popullore, llazaruvane bëhej vetëm një herë në jetë."

Siç është rasti me festimet e Krishtlindjeve, edhe vajzat llazarki kanë këngë të ndryshme përkatëse – për një fshatar të pasur dhe për një fshatar të varfër, për gruan e fshatarit të varfër dhe për gruan e fshatarit të pasur. Ato kanë këngë për bujkun, për bariun, për priftin, për rrobaqepësin, për mësuesin dhe gjithashtu për të gjithë ata që praktikojnë zanate të ndryshme në komunitetin lokal.
"Por në të gjitha këto këngë, urimi është për shëndet dhe mbarësi," thotë Marija Bojanova dhe vazhdon:


"Ideja kryesore, nga njëra anë, është përshkrimi i ëndrrave dhe shpresave të vajzës për martesë, dhe nga ana tjetër, lutja për pjellori. Në besimet popullore, Dita e Llazarit është një festë për arat, kullotat dhe pyjet. Madje në këngë thuhet se Shën Llazari shëtit me një shkop, me të cilin pastron pyjet, për të lënë hapësirë për arat që njerëzit t’i punojnë. Urimet janë – gjithçka të shumëfishohet, ashtu si bagëtitë, të korrat dhe familja brenda shtëpisë."

Shumë lule për këtë festë ka nëpër kurorat dhe nëpër duart e vajzave llazarki. "Etnologu Dimitër Marinov e lidh figurën e lules dhe kopshtit si "dëshmitarë të gjallë" të psherëtimave, ëndrrave dhe shpresave të vajzave.

"Të jesh vajzë është simbol i rinisë, freskisë dhe bukurisë, prandaj një festë e tillë nuk mund të kalojë pa lule. Dhe emri i festës vjen nga nderimi ndaj Shën Llazarit si shenjtor në Kishën Ortodokse."
Në ditën e shtunë detyra e vajzave llazarki është e rëndësishme. Ato shëtisin dhe nëpër ara, dhe gjatë udhëtimit takojnë shumë kalimtarë dhe udhëtarë, për secilin kanë urime dhe dëshira të veçanta. Dhe pasi që në Ditën e Llazarit vajzat kalojnë shumë orë jashtë, të gjithë shpresojnë që në këtë ditë mos të bjerë shi dhe që moti të jetë me diell dhe i bukur.

Foto: Facebook/ Muzeu Etnografik Rajonal në të hapur - Etër
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Projekti “Traditat” hap punëtori për dashamirët e qeramikës së Busincit

Në muajt e ardhshëm në kryeqytetin e Sofjes, Burgas (Bullgari Jugore) dhe Ihtiman (Bullgari Jugore) do të mbahen tre cikle punëtorish për qeramikë dhe leksione edukative për shkollën e qeramikëssë Busincit. Në kuadër të projektit “Traditat”,..

botuar më 25-03-11 6.20.PD
Foto: Muzeu Kombëtar Etnografik – Akademia Bullgare e Shkencave

E kuqe dhe e bardhë - amuleti bullgar i pranverës për shëndet është i mbështjellë me legjenda dhe besime

Sipas besimeve popullore, ngjyra e kuqe zotëron fuqinë e diellit dhe i jep vitalitet çdo qenieje të gjallë, ndërsa e bardha simbolizon pastërtinë, pafajësinë dhe gëzimin. Shfaqja e fijeve të përdredhura të bardha dhe të kuqe të njohura si..

botuar më 25-03-01 8.30.PD
Hristo Stojçev

Hyjmë në studion e gdhendjes së drurit në Samovodska Çarshija

Rëndësinë më të madhe zanati e fitoi gjatë Rilindjes, kur gdhendja e drurit hyri në shtëpitë e bullgarëve si një mjet zbukurimi, ne mund ta gjejmë në kompozime komplekse arkitekturore, ikonostasa, por edhe në dekorimin e objekteve. Ta pikturosh..

botuar më 25-02-24 7.30.PD