Mbushen 105 vjet nga lindja e Akad. Valeri Petrov – poet, shkrimtar, skenarist, dramaturg dhe përkthyes. I lindur më 22 prill 1920 në Sofje me emrin Valeri Nisim Mevorah, ai u diplomua në mjekësi në Universitetin e Sofjes. Për një farë kohe ai punonte si mjek. Në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1944 ishte pjesë e ekipit të Radio Sofjes. Pas luftës, ai ishte një nga themeluesit dhe zëvendëskryeredaktor i gazetës së humorit dhe satirës "Stërshell". Ai është autor i poezive lirike dhe satirike dhe librave për fëmijë.
Veprat e Valeri Petrovit magjepsin me butësi, delikatesë, sinqeritet, mençuri dhe ironi. Si dhe me zotërimin e shkëlqyer të fjalës nga ana e tij.
“Shkrimi shoqërohet me vështirësi, kërkon shumë përpjekje. Me këtë ndryshim, se është një punë e lumtur”, ndau poeti kohë më parë në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Valeri Petrov është një virtuoz i vërtetë në artin e përkthimit - përkthimet e tij të Uiliam Shekspir janë të pakrahasueshme, një vepër e madhe përmes së cilës e gjithë dramaturgjia dhe sonetet e Shekspirit, si dhe "Fausti" i Goethe-s, autorë të tillë si Rëdiard Kipling, Zhak Prever, Pasternak, Xhani Rodari dhe shumë të tjerë, arrijnë te auditori bullgar.
Një sërë këngësh u krijuan mbi bazë të poezisë së tij - ndër to është "Këngë për njerëzit fluturues" nga fundi i viteve 70-të të shekullit të kaluar, e interpretuar nga aktori Asen Angellov Kisimov. Autori i muzikës dhe i aranzhimit është Georgi Genkov.
Për kontributin e krijuesit Valeri Petrov në jetën kulturore të Bullgarisë, ai u dallua me shumë çmime, përfshirë çmimin shtetëror "Shën Paisij i Hilendarit", çmimin e madh për letërsi të Universitetit të Sofjes dhe Çmimin "Sirak Skitnik" të Radios Kombëtare Bullgare. Edhe më sot janë aktuale fjalët që Valeri Petrov i shqiptoi në vitin 2005 kur merrte çmimin e Universitetit të Sofjes:
"Bota në të cilën jetojmë sot është thellësisht e padrejtë, mizore. Por arti ka qenë gjithmonë, përveçse një pasqyrim i asaj që ekziston, edhe një luftë për diçka tjetër, më të mirë se ajo. Dhe mendoj se është detyrë e çdo krijuesi të marrë pjesë në këtë betejë me forcat e tij të vogla. Sa për mua, gjuha ime si mënyrë shprehjeje ka qenë gjithmonë e thjeshtë, e qartë, e lehtë për t’u kuptuar, duke kërkuar kontakte njerëzore, si të thuash.Gjërat që doja të ndaja me lexuesin ishin gjithashtu njerëzore."
Redaktore: Diljana Traçeva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Me manifestime përkujtimore në Sofje dhe Ruse, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, administratës shtetërore, studiuesve akademikë, qytetarëve dhe organizatave hebraike, Bullgaria i bashkohet kremtimit të Ditës Ndërkombëtare..
Më 20 janar, Kisha Ortodokse kremton të nderuarin Shën Evtimij, Patriarkun e Tërnovos. Shën Evtimij Tërnovski lindi në vitin 1327 në qytetin Tërnovo. I dhuruar nga Zoti me dhunti të pasura, Evtimij që kur ishte shumë i ri u dallua me dije..
Shën Antoni ose Babi Antoni ishte një murg asket egjiptian, i konsideruar si themeluesi i murgjërisë. Ai ishte i Pari i të ashtuquajturve oshënar vetmitar, mentor shpirtëror i qindra vetmitarëve. Ai lindi rreth vitit 251 në Egjiptin e Mesëm në një..