Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Si u shpëtua “Sllava” nga harresa – historia e nëndetëses së fundit bullgare

Foto: Veneta Nikollova

Bellosllav është një qytet i vogël, i cili ndodhet në bregun e Liqenit të Varnës. Pikërisht këtu, në portin e thjeshtë të qytetit, është ankoruar e vetmja nëndetëse bullgare e ruajtur – “Sllava”. Ky mjet lundrues prej kohësh nuk e çan më thellësinë e Detit të Zi dhe sot është shndërruar në një nga muzetë më tërheqës në Bullgari.

Vizitorët mund të njihen me historinë e nëndetëses, e cila në fakt është prodhuar në Bashkimin Sovjetik në vitin 1959. Në vitin 1985, ajo iu dha flotës detare ushtarake të Bullgarisë nga Bashkimi Sovjetik me emrin “Leninski Komsomoll”, por në fillim të viteve ’90 të shekullit XX u riemërua “Sllava”. Pas anëtarësimit të Bullgarisë në NATO, nëndetësja mori pjesë në stërvitje të përbashkëta me aleatët tanë, por më vonë u braktis dhe ra në harresë. “Kishim një qëllim të qartë – nëndetësja e fundit bullgare të mos kishte fatin e të tjerave, që u dërguan për skrap”, thotë Danço Kallçev, drejtues i muzeut “Sllava” dhe pronar i fabrikës së xhamit ngjitur me të. Në vitin 2018, familja e tij, së bashku me fondacionin “Xhami i Bellosllavit”, u përfshinë në iniciativën për restaurimin e nëndetëses. Dy vjet më vonë, nëndetësja hapi solemnisht dyert si muze dhe priti vizitorët e saj të parë.

“Njerëzit mund të shohin një strukturë të madhe ushtarake, e cila është 76 metra e gjatë, 6.5 metra e gjerë dhe 12 metra e lartë,” – shpjegon Danço Kallçev. “Mund të kuptojnë përkushtimin e burrave bullgarë – të qëndrosh 20 ditë e net nën ujë për të mbrojtur atdheun! Vizitorët mund të njihen me seksionin e torpedove (një lloj arme ushtarake, e përdorur për të shkatërruar anije dhe nëndetëse armike) , të gatshme për t'u lëshuar, shikojnë shtretërit e ekuipazhit, ku marinarët flinin me turne prej 8 orësh. Janë ekspozuar edhe sistemet analoge me të gjitha valvulat dhe vidat. Çdo anëtar i ekuipazhit duhej t’i njihte shumë mirë, sepse edhe gabimi më i vogël mund t’u kushtonte jetën të gjithëve. Turistët mund të shikojnë dhe 34 bombolat me ajër të kompresuar. Interes të veçantë zgjon kuzhina, ku përgatiteshin deri në 180 vakte në ditë, si dhe dy tualetet – të ngushta, por jetike për ekuipazhin prej 60 personash.”

Ndërsa përpiqemi të kalojmë përmes korridoreve klaustrofobike, kuptojmë çfarë do të thotë të jetosh me disiplinë të hekurt, të ndash ajrin me edhe 60 persona të tjerë dhe të mos kesh të drejtë për asnjë gabim. “Kjo nuk është film – këtu gjithçka është e vërtetë”, thekson Kallçev.

Sipas disa burimeve, nëndetësja ka marrë pjesë nën flamurin sovjetik gjatë krizës së Karaibeve në vitin 1962. Por pasi iu dorëzua Forcave Detare Bullgare në vitin 1985, “Sllava” operoi tërësisht në Detin e Zi.

“Nuk ka nëndetëse bullgare që të ketë dalë jashtë Detit të Zi. Funksioni i nëndetëseve bullgare ka qenë të mbrojnë brigjet e atdheut. Ato janë në vijën e parë të frontit – të parat që përballen me anijet kundërshtare. Kjo është një pajisje për shkatërrimin e armikut. Dhe duhet ditur se midis viteve 1916 dhe 1918, Bullgaria ishte një nga dhjetë shtetet në botë që kishte flotë nëndetësesh. Fatkeqësisht, sot nuk kemi asnjë nëndetëse aktive”, përfundon Danço Kallçev.

Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Veneta Nikollova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Arkeologët zbuluan afër Slivenit një monedhë ari të vlershme nga koha e Justinianit I

Gjatë gërmimeve në fortesën "Tuida" pranë Slivenit (Bullgaria Juglindoe), u zbulua një monedhë ari e prerë gjatë kohës së Perandorit Justiniani I, sundimtar i Perandorisë Romake Lindore. Sipas drejtorit të Muzeut Rajonal të Historisë, Prof. Asoc...

botuar më 25-06-25 10.06.PD

Fletorja personale e Hristo Botevit dëshmon për vitin e fundit të jetës së tij

Më 2 qershor, ne përulemi para Hristo Botevit – një mbrojtës i zellshëm për lirinë e Bullgarisë, poet dhe publicist. Pikërisht në orën 12:00, një ulërimë sirene dhe një minutë heshtje na kujtojnë bëmën e revolucionarit dhe të gjithë atyre që vdiqën..

botuar më 25-06-02 7.45.PD

Prof. Konstantinos Nihoritis për shkronjat bullgare dhe Vëllezërit e Shenjtë Kirill dhe Metodij

Prof. Konstantinos Nihoritis është një shkencëtar me të cilin i lidhim më shumë nga burimet e zbuluara greke për veprën e Vëllezërve Kirill dhe Metodij në shkallë botërore. Një studiues dhe teolog i shquar i Bullgarëve të Vjetër me botime të shumta..

botuar më 25-05-24 6.10.PD