Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Romgaz ndërpreu çështjen-goditje kundër Greenpeace – Rumania



Më 11 qershor, pikërisht para seancës së parë të çështjes, qëllimi i së cilës në praktikë ishte shpërbërja e Greenpeace – Rumania, Romgaz tërhoqi padinë e saj në gjykatë kundër aktivistëve mjedisorë, njoftoi Greenpeace – Bullgaria. Kompania energjetike rumune, e cila është 70% pronë shtetërore, ndërmori hapin e paprecedentë kundër organizatës mjedisore në maj me akuza se ajo është një “organizatë e vendosur” (nënkupton e themeluar nga dikush tjetër me qëllime të fshehta), si dhe se ka rënë në falimentim. Kritikët e këtyre veprimeve, megjithatë, e perceptuan çështjen si një përpjekje për frikësim dhe sulm kundër shoqërisë civile, shkruan “Deutsche Welle”. Sipas Greenpeace, akuzat kundër tyre janë një reagim ndaj veprimeve ligjore të ekologëve kundër projektit për nxjerrjen e gazit natyror Neptun Deep në Detin e Zi. Organizata mjedisore paralajmëron për pasoja të pakthyeshme nga projekti dhe për faktin se Neptun Deep do të pengojë transformimin energjetik të Rumanisë, do të kontribuojë në thellimin e krizës klimatike dhe do të rrezikojë ekosistemet e brishta në Detin e Zi.

Marrëveshje rekord: Turqia furnizon Indonezinë me 48 avionë luftarakë KAAN



Turqia do të prodhojë dhe eksportojë 48 avionë luftarakë KAAN për Indonezinë, parashikon një marrëveshje e re në fushën e mbrojtjes, shpalli presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, njoftuan Agjencia Anadolu dhe BTA. Në një publikim në platformën sociale “X” pas nënshkrimit të marrëveshjes së eksportit, Erdogan u dërgoi përshëndetje pjesëmarrësve në projektin KAAN. Për prodhimin e avionëve do të përdoren gjithashtu kapacitete prodhuese në Indonezi, vuri në dukje presidenti turk.

Avioni luftarak KAAN, i cili është aeroplan i gjeneratës së pestë nga Industria Aerokozmike Turke (TAI), kreu fluturimin e tij të parë vitin e kaluar me shpejtësi supersonike prej 1.8 Mach dhe lartësi fluturimi mbi 16,7 km. Marrëveshja parashikon që 48 avionët KAAN të dorëzohen gjatë një periudhe prej 120 muajsh. Ata do të jenë të pajisur me motorë të prodhuar në Turqi.

Kosova pranon 300 të burgosur të huaj nga Danimarka për 200 milionë euro



Deri në vitin 2027, Danimarka do të zhvendosë të burgosurit e saj të huaj në Kosovë. Lajmi shkakton pakënaqësi midis organizatave joqeveritare dhe qytetarëve të Kosovës, por mund të shërbejë si model për pjesën tjetër të BE-së, raportoi AFP, cituar nga BGNES. Marrëveshja, e arritur në vitin 2022 dhe e ratifikuar nga parlamenti i Kosovës në vitin 2024, parashikon pranimin e deri në 300 të burgosur të huaj, të dënuar në Danimarkë. Ata nuk duhet të jenë të dënuar për terrorizëm ose krime lufte, as të vuajnë nga sëmundje mendore ose sëmundje të pashërueshme. Pasi të kryejnë dënimin e tyre në Kosovë, ata do të dëbohen në vendin e tyre të origjinës. Në këmbim të kësaj, Danimarka do të paguajë 200 milionë euro, që është mbi 6 herë më shumë se buxheti vjetor i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.



Të ndaluarit do të jenë të mbyllur në një ndërtesë të veçantë në fshatin Pasjak, rreth 50 km në juglindje të kryeqytetit Prishtinë. Së shpejti do të fillojnë punimet për rinovimin e ndërtesës. Projekti shkakton shqetësim mes banorëve lokalë. “Po të ishin pa probleme, Danimarka do t’i mbante vetë, jo t’i transferonte jashtë vendit,” komentoi Zeke Zeka, 57 vjeç, fermer dhe nënkryetar i fshatit.

Zbulim arkeologjik i një qyteti tregtar të madh në Qipro



Qiproja ka qenë një qendër e një rrjeti të gjerë tregtar mesdhetar në epokën e bronzit të vonë, dëshmojnë kërkimet e fundit arkeologjike ndërkombëtare të zhvilluara në ishull. Për zbulimet e pasura nga arkeologët njoftoi Ministria e Kulturës, raportoi korrespondentja e BNR në Qipro, Branislava Bobanac. Gërmimet në zonën e Larnakës, pranë aeroportit ndërkombëtar, kanë zbuluar artefakte nga i gjithë Mesdheu në një qytet të lashtë portual që përfshinte një sipërfaqe prej rreth 25 hektarësh. Ai ka luajtur rolin e një qendre të rëndësishme tregtare në rajon gjatë mijëvjeçarit të dytë para Krishtit, pasuria e të cilit buronte nga nxjerrja dhe eksporti i bakrit.

Në 3 varrezat e zbuluara, përveç produkteve vendore – qeramikë, vegla dhe stoli, janë gjetur edhe shumë mallra të importuara, që dëshmojnë për lidhje të gjalla tregtare. Ka produkte qeramike të importuara me cilësi të lartë nga ishujt Egje dhe Greqia Qendrore. Nga Egjipti janë importuar sende nga fildishi, metale të çmuara dhe skarabe. Ka edhe dhurata varrimi nga Lindja e Afërt. Sipas arkeologëve, tre varret i përkasin familjeve tregtare të pasura nga klasa sunduese. Gërmimet janë kryer nga një ekip ndërkombëtar nën drejtimin e Universitetit të Göteborgut (Suedi).

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Greenpeace Romania, iletisim.gov.tr, reuters.com, gov.cy

Më shumë nga rubrika

Presidenti ia referon kërkesën e kthyer për referendum mbi euron Gjykatës Kushtetuese

Presidenti Rumen Radev ia referoi sot çështjen Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të detyrueshëm të Kushtetutës dhe për të shpallur të pavlefshëm refuzimin e kryetares së Kuvendit Popullor, Natalija Kisellova, për të paraqitur për shqyrtim nga..

botuar më 25-05-23 4.21.MD
Ivan Kondov

2 kilometra mbeten për t'u ndërtuar në anën bullgare të Korridorit Nr. 8

Vetëm 2 kilometra kanë mbetur për t’u ndërtuar në anën bullgare të korridorit hekurudhor, i njohur si Korridori Nr. 8, i cili do të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Këtë e njoftoi Sekretari i..

botuar më 25-05-20 5.32.MD
Ljupço Georgievski

Një bullgar maqedonas në gjyq në Manastir për citimin e Ivan Mihajllov

Ljupço Georgievski, kryetar i Klubit Kulturor "Ivan Mihajllov" në Manastir, i ndaluar nga autoritetet maqedonase, do të dalë në gjyq më 21 maj në orën 10:30 të mëngjesit. Ai akuzohet për citimin e kujtimeve të Ivan Mihajllov në Facebook duke përdorur..

botuar më 25-05-20 9.23.PD