Tradita e kopshtarisë bullgare në Hungari u përfshi në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Këtë e shpalli kryetari i Vetëqeverisjes Republikane Bullgare në Hungari, Dr. Danço Musev, gjatë festimeve të kushtuara Ditës së Pavarësisë së Bullgarisë. Bullgarët në Hungari e festojnë tradicionalisht Ditën e Pavarësisë më 13 shtator në qytetin Halastelek, jo larg Budapestit. Dita nisi me vendosjen e kurorave pranë monumentit "Dollapi bullgar" të ngritur për nder të kopshtarëve bullgarë themelues të vendbanimit. Ky monument paraqet dollapin tradicional bullgar – një pajisje me të cilën kopshtarët bullgarë ujitnin kopshtet e tyre– njoftoi Svetlla Kjoseva, kryeredaktore e revistës dygjuhëshe “Hemus”.
"Përfshirja e traditës së kopshtarisë bullgare në regjistrin e UNESCO-s është fryt i punës shekullore të paraardhësve tanë dhe përpjekjeve të komunitetit bullgar sot. Kopshtaria bullgare në Hungari nuk është vetëm një trashëgimi historike, por një dije dhe praktikë e gjallë që përcillet brez pas brezi nëpërmjet kopshteve komunale, shkollave, çerdheve dhe traditave familjare" shtoi Kjoseva.
Përpara Agjencisë BTA, Jordan Tjutjunkov, anëtar i redaksisë së “Gazetës Bullgare” në Hungari, deklaroi se, si pjesë e përpjekjeve për ruajtjen dhe prezantimin e trashëgimisë së kopshtarisë, ka nisur një bashkëpunim me Muzeun Etnografik në natyrë në Sentendre. “Po punojmë së bashku për krijimin e një kopshti model bullgar, i cili do të paraqesë në mënyrë autentike si teknikat bujqësore të paraardhësve tanë, ashtu edhe mënyrën e jetesës së kopshtarëve bullgarë. Projekti do t’i njohë vizitorët me kontributin e bullgarëve në kulturën agrare hungareze dhe do të tregojë se çfarë do të thotë të krijosh jetë dhe mjet jetese me punë, dije dhe këmbëngulje”, theksoi Tjutjunkov.
Mund të mësoni më shumë për bullgarët në Hungari nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Svetlla Kjoseva, "Hemus"
Në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimeve Letrare Mbarëkombëtare “At’ Gjergj Fishta”. Ky edicion i çmimeve, tashmë me pesë vite traditë, vlerëson veprat më të spikatura të letërsisë shqipe në një hapësirë..
Ylli i skenës bullgare, Silvija Tomova, ka përfunduar Akademinë Shtetërore të Baletit “A. J. Vaganova” në Shën Petersburg. Karriera e saj është e lidhur me Operën dhe Baletin Kombëtar, ku si primabalerinë ka interpretuar mbi 90 role në tituj klasikë..
Bashkëprodhimi bullgaro-anglez “Lojërat e Djallit” mori çmimin për “kinematografinë më të mirë” në Festivalin prestigjioz të Filmit Chelsea në New York. Kjo u njoftua në Facebook nga Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në New York. Filmi..
Zvicra, ose nëse duhet të jemi historikisht dhe gjeografikisht korrektë, Konfederata Zvicerane, është një nga shtetet më të vogla të Evropës Qendrore në..
Luiza Vanbal është punonjëse në Ministrinë e Ekonomisë së Gjermanisë. Fija e padukshme që e lidh të renë gjermane me Bullgarinë është dashuria e saj për..