Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare: Emanuill Manollov - “Je i bukur, o atdhe”

Emanuill Manollov (1860 – 1902)
Foto: Wikimedia Commons

Në studimet historike kushtuar muzikës klasike vendase, prej dekadash është i pranishëm pohimi i çuditshëm se Bullgaria ka qenë duke “ndjekur nga pas” kulturat muzikore evropiane dhe botërore.Kjo jo vetëm që është e gabuar, por edhe e padrejtë ndaj artistëve tanë, ndër të cilët është kompozitori i parë bullgar i trajnuar profesionalisht - Emanuill Manollov, i quajtur "themeluesi" i krijimtarisë sonë muzikore. Ashtu si të gjithë kolegët e tij nga brezi i mjeshtërve të parë, Emanuill Manollov zotëron talent të padyshimtë dhe kulturë të pasur muzikore. Dhe ashtu si bashkëkohësit e tij dhe artistët e brezit të ardhshëm që studiuan jashtë vendit, ai u kthye në atdhe për të investuar të gjitha njohuritë dhe aftësitë e tij në zhvillimin e muzikës bullgare. Sipas burimeve të ndryshme ai ka lindur në 1858, ose në 1860, por në dallim të vitit të lindjes, vendlindja e tij është e sigurt: Gabrovo - një qytet me njerëz të shquar, të arsimuar, sipërmarrës dhe ambiciozë, një qytet i ngritjes ekonomike dhe zgjimit kombëtar, i shkollës së parë laike bullgare.

Monumenti i Emanuill Manollovit në Gabrovo

Pak dihet për fëmijërinë dhe rininë e Emanuill Manollov, por dihet se ato ishin të mbushura me varfëri dhe vështirësi. Rreth një çerek shekulli më parë, regjisori i njohur bullgar Georgi Djullgerov krijoi një seri filmash për kompozitorët e parë të shquar bullgarë dhe në arkiva hasi historinë e vërtetë që dha idenë për operën e parë bullgare - "Fukaresha", autori i së cilës ishte Emanuill Manollov. Rezulton se prototipi i protagonistja, e detyruar të lypte fjalë për fjalë për të ushqyer fëmijët e saj, ishte nëna e kompozitorit.  E mbetur pa mjete, ajo ndërmori rrezikun e madh duke shkuar me katër djemtë e saj në Kiev dhe duke u kërkuar bullgarëve të njohur atje ndihmë financiare për shkollimin e djemve. Kërkesa e saj nuk u pranua dhe gruaja e dëshpëruar thjesht… i braktisi katër fëmijët e saj. Të zbuluar nga bashkatdhetarët, ata u çuan në Këshillin Administrativ Bullgar në Odesë, ku rrugët e tyre u ndanë.

Meqenëse kishte një talent të spikatur në këndim, Emanueli u pranua në Kapelën e Korit të Moskës. Ai vazhdoi shkollimin në Konservatorin e Moskës. Studioi flaut, piano dhe lëndë teorike dhe bëri përpjekjet e para në kompozim. Ai nuk arriti të diplomohej, sepse me shpërthimin e Luftës Serbo-Bullgare u kthye në atdhe dhe shkoi në front si dirigjent orkestre. Nga viti 1885 deri në fund të jetës së tij punoi si mësues dhe muzikant ushtarak në Plovdiv, Asenovgrad dhe Kazanllëk.

Varri i Emanuill Manollovit në parkun Tjullbe në Kazanllëk

Edhe pse ai mbetet në histori si autori i operës së parë bullgare, megjithëse shkroi edhe muzikë dhome dhe pjesë për bandë frymore, zhanri më i rëndësishëm në veprën e Emanuill Manollov është ai koral. Kënga e tij e famshme "Çfarë vajze pashë, o nënë" është e dashur dhe shpesh interpretohet edhe sot e kësaj dite. Ai është gjithashtu autor i shumë prej të ashtuquajturave "potpuri" për kor të përzier, i këngëve liturgjike, marsheve dhe këngëve të mrekullueshme shkollore dhe për fëmijë, ndër të cilat një shembull klasik mbetet "Je i bukur, o atdhe" bazuar në poemën madhështore të Petko Raçov Sllavejkov - një nga simbolet e krenarisë kombëtare bullgare.

"Je i bukur, o atdhe", interpretuar nga ansambli i parë bullgar për fëmijë që fitoi famë botërore - kori "Bodra Smjana" me dirigjente Liljana Boçeva dhe Svetlla Beshovishka në piano, është një shembull i një interpretimi të realizuar me përkushtim dhe dashuri. Autori i këngës - Emanuill Manollov, i cili studioi në Moskë, kishte përgatitje të shkëlqyer profesionale dhe kulturë serioze muzikore dhe sigurisht që, si kolegët e tjerë të tij nga brezi i parë i kompozitorëve tanë, mund të gjente realizim jashtë vendit. Por këta bullgarë ishin të përkushtuar ndaj misionit të përshtatjes së shoqërisë bullgare, e cila deri vonë ishte e mbyllur, me mjedisin muzikor profesional evropian. Ndërgjegjësimi dhe kuptimi i vlerave të reja ishte rruga që muzikantët tanë profesionistë duhej të ndiqnin së bashku me shoqërinë tonë. Dhe ata e bënë këtë pa u përpjekur të "ndjekin" askënd.

Më shumë për Emanuill Manollovin mund të lexoni në arkivin e Radio Bullgarisë:

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Foto: Wikimedia Commons, Dimitër Benev, bg.wikipedia.org



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Severin sfidon me këngën e tij të radhës: Çfarë “Gjurmë” do të lëmë?

Pavarësisht se u bë më i njohur për publikun përmes pjesëmarrjes në sezonin e dhjetë të formatit televiziv “Zëri i Bullgarisë” dhe ka mbi 60 mijë ndjekës në TikTok, rruga profesionale e këngëtarit të ri Severin Georgiev fillon shumë më herët. Ai kreu..

botuar më 25-09-08 5.55.PD
Kolazh me foto: Ivan Petrov

"Një Amanet"

Me rastin e festës së 6 Shtatorit, kushtuar një ngjarjeje të rëndësishme historike – Bashkimit të Bullgarisë, kujtojmë një marsh legjendar patriotik bullgar. Me siguri në shtatorin e vitit 1885, “Një Amanet” nuk ka shoqëruar as kryengritjet popullore në..

botuar më 25-09-05 6.35.PD
Vasill Najdenov

Vasill Najdenov feston ditëlindjen e tij

Vasill Najdenov, një nga këngëtarët më të dashur bullgarë të muzikës pop, feston sot, 3 shtator, ditëlindjen e tij të 75-të. Duke filluar karrierën e tij profesionale në fillim të viteve 1970, ai ka punuar me interpretuesit dhe kompozitorët më të..

botuar më 25-09-03 3.50.MD