Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Në Athinë po diskutohet lidhja midis inteligjencës artificiale dhe mësimdhënies

Foto: Shkolla Shën Kirill dhe Metodij në Athinë

"Ne nuk mund të ikim nga teknologjitë bashkëkohore, por duhet të mendojmë si mund të përdorim inteligjencën artificiale në mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e arsimit pa humbur kontaktin njerëzor" – tha në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë Mimi Niçeva, drejtoresha e Shkollës Bullgare të së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” pranë Shoqatës Kulturore-Arsimore “Zgjuesit” në Athinë, Greqi. Shoqata, e cila është njësia e parë bullgare arsimore për mësimin e gjuhës bullgare dhe përhapjen e kulturës bullgare në kryeqytetin grek, organizon më 31 tetor dhe 1 nëntor një konferencë ndërkombëtare me temë “Inteligjenca artificiale në arsim: Rruga drejt mësimdhënies dhe të nxënit inovativ”.



Qëllimi i ngjarjes është të mbledhë mësues, ekspertë dhe përfaqësues të shkollave bullgare të së dielës jashtë vendit, të cilët së bashku të diskutojnë sfidat përpara punës së tyre në kushtet e botës digjitale dhe të shkëmbejnë praktika të mira për atë se si teknologjitë mund të jenë ndihmëse në procesin mësimor, e jo pengesë. Ngjarja është pjesë e programit festiv kushtuar 1 nëntorit, Ditës së Zgjuesve të Popullit. Për arsye që nuk varen nga organizatorët dhe pavarësisht përpjekjeve dhe dëshirës së tyre, ngjarja do të ketë kryesisht karakter lokal me pjesëmarrjen e mësuesve të shoqatës “Zgjuesit” dhe kolegëve të tyre në territorin e Athinës. Mysafirë të veçantë do të jenë Boris Mihajllov nga Universiteti i Plovdivit “Paisij Hilendarski” dhe Bozhana Mihajllova nga qendra arsimore “Kreativitet”, të cilët do të mbajnë edhe ligjërata të veçanta mbi temën. Radio Bullgaria do ta pasqyrojë ngjarjen, ndërsa informacionin e përditësuar priteni në faqen tonë. Dhe nëse nisim nga përvoja personale e një mësueseje jashtë vendit, zonja Niçeva është e prerë se ende nuk është përballur me shfaqjet negative të inteligjencës artificiale, përkundrazi – ajo i sheh anët e saj pozitive.



"Gjëja që më provokoi ta zgjedh temën është para së gjithash aktualiteti i saj, sepse inteligjenca artificiale tashmë është pjesë e pandarë e jetës sonë dhe ndryshon mënyrën se si punojmë, komunikojmë dhe mësojmë. Arsimi duhet të jetë i përgatitur për këtë ndryshim – të gjejë balancën midis mundësive teknologjike dhe qasjes njerëzore në mësimdhënie. Ne besojmë se pikërisht tani është momenti të flasim për atë se si IA mund të mbështesë si mësuesit, ashtu edhe nxënësit, pa e zhvendosur faktorın njerëzor" – thotë drejtoresha.



Gjatë këtij viti shkollor në shkollën bullgare të së dielës në Athinë janë regjistruar më shumë se 270 fëmijë, për të cilët është siguruar formë mësimore me prezencë dhe në distancë, si edhe paralele për fëmijë që nuk e njohin gjuhën bullgare. Risi këtë vit është që ekipi i Mimi Niçevës do të ofrojë konsultime falas në ndihmë të nxënësve nga klasa e 1-rë deri në të 12-tën në lëndë që studiohen në shkollat greke si matematika, fizika, kimia dhe biologjia. Çfarë e kërkon një masë të tillë dhe a e kuptojmë si dhe nëse fëmijët bullgarë në moshë shkollore po ia dalin me përshtatjen në një mjedis të huaj gjuhësor është pyetje, përgjigjja e së cilës kërkohet çdo ditë. Ky është edhe një nga problemet që me gjasë do të diskutohen me përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për politikat ndaj bullgarëve jashtë vendit, të cilët do të marrin pjesë në festimet me rastin e 1 nëntorit në Shkollën Bullgare të së Dielës “Shën Kirill dhe Metodij” në Athinë dhe do të marrin pjesë në një takim pune me bashkatdhetarët tanë atje, mësojmë nga Niçeva.



"Nuk duhet të harrojmë se komuniteti bullgar në Greqi është i madh dhe aktiv, por si çdo komunitet emigrant ka sfidat e veta. Një nga kryesoret lidhet me arsimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe identitetit bullgar. Fëmijët mësojnë në shkollat greke, gjuha bullgare shpesh mbetet në plan të dytë nëse prindërit nuk arrijnë të gjejnë kohë për mësime në shkollat e së dielës. Një problem tjetër është përshtatja gjuhësore dhe kulturore – për disa familje ajo është e vështirë, veçanërisht kur fëmijët vijnë më vonë dhe duhet të përshtaten me një mjedis të ri. Ka edhe vështirësi ekonomike – prindërit punojnë shumë, shpesh në dy vende, gjë që e kufizon kohën e tyre për fëmijët dhe, natyrisht, dërgimin e tyre në shkollën e së dielës."



Shkollat bullgare të së dielës, si ajo në Athinë, kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme institucionale, në mënyrë që të mund të sigurojnë arsimim në nivel të lartë dhe të jenë qendër shpirtërore e komunitetit, është e prerë bashkatdhetarja jonë. Sepse lidhja me Bullgarinë është gjithmonë aty, në zemrat e atyre që e kanë lënë.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Shkolla "Shën Kirill dhe Metodij" në Athinë, Pixabay



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në hap me kohën, Sinodi lëshon një aplikacion ortodoks për të rinjtë

Me bekimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare, në faqen zyrtare të Patrikanës që nga data 1 nëntor është i disponueshëm një aplikacion celular për besimtarët. Në versionin e parë, aplikacioni përfshin seksione kryesore si: “Bibla –..

botuar më 25-11-03 10.09.PD

Dashuria dhe vëmendja janë çelësi i suksesit në shkollën bullgare të së dielës në Larnaka

Me gjallërinë, disponimin dhe ngjyrat rinore të tyre, nxënësit e shkollës bullgare të së dielës “Dr. Petër Beron” sollën frymë rinore gjatë vizitës së tyre në Radion Kombëtare Bullgare. Ata kishin ardhur nga Larnaka. Grupi nga Qiproja, i përbërë nga 16..

botuar më 25-11-03 7.15.PD

Pikturo me dritë dhe kontrollo robotët në muzeun e ri të Sofjes!

Sofja ka fituar një parajsë të re kulturore. Phenomena është muzeu i parë në Bullgari i dedikuar lidhjes midis shkencës dhe artit. Hapësira paraqet zbulime shkencore, teknologji, inxhinieri, art dhe matematikë në frymën e arsimit STEAM (Science,..

botuar më 25-11-02 7.05.PD