Në vitin 1979, në ekranet bullgare u shfaq filmi televiziv për fëmijë me shtatë seri "Filjo dhe Makenzen" nga regjisorët Dimitër Petrov dhe Vlladislav Ikonomov, bazuar në një skenar nga Svoboda Bëçvarova.

Aventurat e dy djemve nga një qytet i vogël provincial gjatë pushimeve verore të vitit 1944 dhe paraqitja e ngjarjeve dramatike historike me sensin e humorit të paimitueshëm të autorëve u pëlqyen menjëherë. Në dekadat pasuese, seriali ishte një nga të preferuarat e brezave të tërë të fëmijëve bullgarë, dhe muzika për të, e krijuar nga Aleksandër Brëzicov, u bë një hit i vërtetë.

Kompozitori lindi rreth një vit para ngjarjeve të serialit – në pranverën e vitit 1943. Ai është trashëgimtar i një familjeje të shquar bullgare nga Maqedonia, nip i publicistit dhe përkthyesit Dimitër Brëzicov dhe bir i gazetarit dhe shkrimtarit të famshëm Hristo Brëzicov. Talenti i tij muzikor i detyrohet nënës së tij – Katja Spiridonova, një nga yjet më të ndritura të operës bullgare të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Djali i saj, Aleksandri, filloi të luante piano në moshën pesë vjeç, si nxënës ishte pjesë e ansambleve amatore. Edhe pse ishte shumë i interesuar për muzikën klasike dhe xhazin dhe studioi privatisht me dirigjentin, kompozitorin dhe pianistin e njohur Emill Georgiev, ai u diplomua në Akademinë e Arteve me një diplomë në grafikë të aplikuar. Megjithatë, para se të diplomohej, në moshën 20 vjeç, Aleksandër Brëzicov filloi të kompozonte muzikë. Ai e afirmoi veten si një autor muzike filmash, duke kontribuar në mbi 100 prodhime artistike, të animuara dhe televizive. Në fillim të viteve 1970, Aleksandër Brëzicov iu drejtua edhe zhanreve popullore instrumentale dhe vokale. Kompozitori punoi me yjet: Lili Ivanova, Jordanka Hristova, Margarita Hranova, Katja Filipova, Orlin Goranov, Neli Rangellova, Kamelia Todorova, Vasill Petrov.
Ai krijoi mbi 150 këngë, pjesë orkestrale dhe muzikë për shfaqje teatrale. Njihet gjithashtu si një nga autorët kryesorë të aranzhimeve në muzikën bullgare pop të viteve 1970 dhe 1980.

Në shikim të parë, tema kryesore e thjeshtë, por jashtëzakonisht tërheqëse dhe e paharrueshme e Aleksandër Brëzicov në serialin "Filjo dhe Makenzen" bëhet shembull i një miniature vokale popullore me tekstin prekës të poetit të jashtëzakonshëm Bogomill Gudev (1935 - 1993), i cili sigurisht ka kujtime të fëmijërisë nga viti 1944 - koha e filmit.
Imagjinata e poetit e shndërron melodinë e Brëzicovit në një kujtim të një rrugice të vogël ku vrapojnë çapkënë të zbathur, rrokullisen topa leckash dhe herë pas here dikush madje godet dritaren e dikujt... Një fëmijëri e tillë nuk ka ekzistuar ndoshta për më shumë se gjysmë shekulli. Në fund të këngës për të rriturit, "yjet tashmë po shkëlqejnë nga larg me një zjarr të ftohtë".
Melodia e thjeshtë dhe shumë tërheqëse dhe teksti unik, i përpunuar me delikatesë nga autori i aranzhimit (kompozitori i njohur Stefan Dimitrov), bëhen edhe më emocionuese me zërin e interpretuesit - Orlin Goranov.
Kënga "Kohë Zbathur" është gjithashtu e njohur në interpretim të Bogdana Karadoçevës, por zëri mashkullor i përshtatet më mirë historisë së burimit origjinal - filmit për Filjon dhe Makenzen. Dhe timbri i bukur, i pasur, i butë, i sinqertë, emocional dhe prekës i Orlin Goranovit e kthen këngën modeste dhe të thjeshtë në diçka më shumë sesa një shembull i kulturës muzikore bullgare. "Kohë Zbathur" është një kujtim i fëmijërisë, e cila është me zemër të pastër dhe nuk njeh të keqe, një kujtim i pafajësisë sonë të humbur...
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: BNT - arkiv, Zdravko Petrov - BNR
Kamelia Todorova - këngëtarja që vendosi standarde në muzikën bullgare xhaz dhe pop - prezanton projektin e saj të ri muzikor "Këngët e mia" më 14 tetor në orën 19:30 në Qendrën për Art Bashkëkohor "Topllocentralla" në Sofje. Eventi premton të jetë..
Papi Hans po ngroh vjeshtën e ftohtë me këngën e tij të re me ritme latine “E pafajshme”. Ajo vjen pas një serie baladash dhe është kënga e parë nga albumi i tij i ardhshëm, i cili do të quhet simbolikisht “Dielli”. Sipas këngëtarit, ky do të..
"Festivali Evropian i Muzikës" në Sofje ofron disa ngjarje të spikatura për adhuruesit e muzikës në serinë vjeshtore të edicionit të tij të 25-të. Nga mesi i tetorit deri më 2 dhjetor 2025, do të zhvillohen koncerte me programe interesante dhe..
Koncerti i supergrupit “Fondacijata” (Fondacioni), ditëlindja e këngëtarit Kirill Mariçkov dhe Dita e Rokut Bullgar – këto tri ngjarje bashkohen në një..